Është pensionuar arsimtari Daut nga shkolla “Naim Frashëri” në Podujevë.
Ai është një ikonë e arsimit shqip, që i dha shumë kësaj shkolle dhe nga gjiri i saj nxori gjenerata te tera nxënësish me shumë njohuri në lëndën mësimore, që e ligjëronte, shkruan Albanian Education.
Njoftimi i shkollës:
Pensionimi është një moment i rëndësishëm në jetë, sidomos kur njeriu lë pas vetes një kontribut të veçantë, që çmohet nga të gjithë dhe lë gjurmë të pashlyeshme në njerëz dhe në kohë.
Me 02 qershor 2023, në shkollën tonë, u pensionua edhe një ikonë e arsimit shqip, që i dha shumë kësaj shkolle dhe nga gjiri i saj nxori gjenerata te tera nxënësish me shumë njohuri në lëndën mësimore, që e ligjëronte arsimtari Daut.
Kjo është një ngjarje e veçantë, për një personalitet të veçantë, të cilën ne e përjetojmë në mënyrë të veçantë!
Arsimtari Daut filloi punën, si mësimdhënës, në vitin 1979, në fshatin Pollatë, dhe punoi deri në vitin 1980. Po në këtë vit, filloi punën në SHFMU ” Naim Frashëri” ( që në atë kohë, e deri në vitin 1992, quhej “Vllaznim Bashkim” .)
Gjatë karrierës së tij, 43 vjeçare, mësimdhënësi Daut, nuk kurseu, as edhe një herë të vetme, mundin dhe vullnetin e tij për të mësuar dhe edukuar gjenerata të shumta, në mënyrën më të mirë, për të sjellë rend, këshilla, rezultate dhe harmoni mes kolegësh.
Ne, sot, kur e festuam ditëlindjen e tij, në shkollë, e falenderuam për kontributin dhe karrierën e ndritshme të tij , i deshiruam gjithë të mirat në jetë dhe uruam, që të kemi përherë mësimdhënës të përkushtuar, dinjitoz e të suksesshëm si arsimtarin Daut.
Paç jetë të lumtur, arsimtar i nderuar!
Krenarë me punën dhe veprën tënde.
Kolektivi i SHFMU ” Naim Frashëri” , Podujevë.