“Pendesa e një nxënësi” është shkrimi letrar i mësuesit Luan Stafasani, me të cilin ai merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.
“Pendesa e një nxënësi” është shkrimi letrar i mësuesit Luan Stafasani, me të cilin ai merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.
Kain Rremthin e njoha kur i ati e solli ta regjistronte në gjimnazin e qytetit për të ndjekur shkollën e mesme. Atëvit pata rastin të drejtoja gjimnazin. Të atin e Kainit e njihja prej kohësh dhe sa herë ndesheshim në rrugë, ndaleshim e pyesnim njëri-tjetrin miqësisht rreth punëve dhe halleve të përditshmërisë. I dallova që larg babë e bir dhe e kuptova se mua po më prisnin. U ndala, i takova dhe si përherë me të atin e Kainit folëm si dy të njohur të hershëm. Tek flisja me të atin, vëreja pa pushim Kainin që nuk i mbante sytë te ne të dy, pori rrotullonte pa prerë e disi i shpërqendruar. Dora që më kishte dhënë ishte disi e ftohtë dhe e s’qullët nga lagështia e djersës së ftohtë. Ishte trupgjatë, por kishte filluar të kërrusej pak.
Fytyra e mbushur me aknet e moshës ishte e zbehtë, sytë në ngjyrë gri ishin të turbullt. Flokët të shkurtër në ngjyrë të zezë qëndronin të çrregullt mbi kokën picigjatë.
“Me pak fjalë, -i thashë vetes, -ky qenka sinonim i trefletëshit që ishte bërë çështje e ditës atëherë, për shkak të lehtësisë me të cilën gjendej.”
-Drejtor, -u fut në temë i ati, -deshëm të të luteshim të dy, nëse është e mundur, ta kalosh Kainin te një klasë tjetër, ku gjenden shokët e tij të fëmijërisë.
Pasi e pyeta për klasën ku gjendej, iu thashë se mundem ta bëj, por klasa ku është momentalisht ka përbërje e mjedis më edukues nga ajo ku dëshiron ai të jetë.
-Kain, – vazhdova më tutje,- në letërsi sivjet do të mësosh se natyralistët, që janë një rrymë letrare e themeluar në Francë, mendojnë se njeriu është i kushtëzuar nga tre faktorë: gjeni, mjedisi, koha. Gjenet i ke të mira, mjedisin ku po mëson po ashtu, koha është pak e vështirë, po do t’ia dalësh po u mbështete te dy të parët. Gjithsesi, – vazhdova, – po e ke ndarë mendjen të lëvizësh, më thuaj, se nuk na kushton asgjë. -Siç duket, atë e bir mbetën të kënaqur nga arsyetimi im dhe hoqën dorë nga kërkesa e tyre.
Kainin e ndoqa me shumë vëmendje atë vit: si amanet i të atit dhe si detyrë, por më shumë ndoshta doja të dija se ç’bëhej në atë kokën e tij picigjatë.
Për shkak se vinte vonë në orën e parë, mungesës së përqendrimit e debateve të kota me mësuesit, shpesh e thërrisja dhe veçmas flisja me të.
-Ke të drejtë, – thoshte ai, – do të përpiqem të mos bëhem më problem.
Nuk vonoi shumë, u evidentua edhe si dyluftues i mirë në grusht, kur dilte nga shkolla (pasi më kishte premtuar se në orarin e mësimeve nuk do të sillte probleme). Për çdo informacion që vinte, lajmëroja të atin, i cili nuk mungonte të vinte menjëherë e të dy rrekeshim ta sillnim në binarë Kainin. Mirëpo s’qe e thënë. Atë vit, për shkak të mungesave të shumta, ai nuk u klasifikua me notë e, rrjedhimisht, në shtatorin që erdhi, u detyrua ta rifillojë edhe një herë klasën.
Edhe unë u largova nga drejtimi i shkollës, sepse mbërriti ish-drejtoresha, e cila kishte qenë për një vit në Amerikë.
Kaini nisi të mbante një qëndrim të ftohtë ndaj meje, kur shkëmbeheshim në korridoret e gjimnazit. Ndoshta më fajësonte edhe mua për shkak të përsëritjes së vitit shkollor. Ndërsa i ati, ndryshe nga Kaini, gjithmonë më thërriste:
– O drejtor, s’po shihemi më si më parë…
-S’jam më drejtor, – ia ktheja me të qeshur.
-Për mua, po, – më thoshte, -nuk e harroj përpjekjen që bëmë bashkë për Kainin. -Por e kam një përgjigje për ‘të, – më tha. – Përgjigjen e lidh me atë frazën që ma the, kur u takuam të tre te porta e shkollës, që “njeriu është i varur nga gjeni, mjedisi dhe koha. Mjedisi ku ne banojmë është shumë luftarak. Lagjja jonë ka në qendër Ajaksin, të fortin e qytetit, ndaj Kaini u lind dhe u rrit me modelin e tij. Po ashtu, dhe koha që po kalojmë i ka bërë adoleshentët të turpërohen, nëse i quan djem të mirë e që mësojnë. Janë më të lumtur, nëse quhen problematikë.
-Në këto që thua, deri diku ke të drejtë, po mos u dorëzo, -ia ktheva. -Beso deri në fund.
Nuk kaloi as një ditë kur, pasi nxënësit ishin futur në shkollë pas pushimit të gjatë, në korridorin e katit të parë Kaini, pas një debati të kotë adoleshentësh“pse më sheh, pse të shoh” kishte filluargrushtin me Bekon. Ky i fundit e kishte vënë para, siç rrëfenin nxënësit e pranishëm në korridor. I ndier keq e ngushtë Kaini kishte nxjerrë thikën dhe e kishte goditur Bekon disa herë, që me gjithë goditjet e thikës vijonte ta grushtonte Kainin. Gjithë skena ishte zhvilluar sa hap e mbyll sytë, por, falë guximit, dy nxënës kishin ndërhyrë për t’i ndarë.
Beko ishte rrëzuar më në fund, ndërsa Kaini ia kishte mbathur me vrap. Ishte larguar nga shkolla. Për fatin e mirë goditjet e thikës nuk kishin prekur organet jetësore, siç thoshin mjekët e spitalit e Bekoja. “falë Zotit, shpëtoi”. Por ngjarja tronditi nga themelet gjithë shkollën. Këshilli i mësuesve u mblodh të nesërmen dhe Kaini u përjashtua përgjithmonë. Tashmë ai kërkohej dhe nga policia.
Nuk vonoi shumë dhe papritur i ati i Kainit u sëmur dhe ndërroi jetë, me pengun që Kaini kërkohej nga policia.
Tri vite më pas u gjenda në Angli, ku qëndrova një muaj tek im vëlla si vizitor. Në një nga ditët e para të qëndrimit, kur drekonim në një restorant italian, në fund të drekës, kur thirrëm kamerieren për të paguar, ajo na tha se dreka ishte paguar nga një ish-nxënës i imi, që tani punonte kuzhinier në atë restorant. Nuk vonoi shumë dhe Kaini Rremthi u shfaq para nesh.
-Sa e vogël është bota, – thashë kur u takuam.
Kaini kishte ndryshuar. Aknet i ishin larguar nga fytyra, ngjyra e lëkurës i ishte bërë si e një anglezi,flokët i kishte rritur dhe i trajtonte me kujdes. Edhe kurrizi sikur i ishte drejtuar, ndoshta kjo ndjesi të krijohej ngaqë kishte vënë pak bark.
U pyetëm në vija të përgjithshme me njëri-tjetrin. Kuptohet, unë nuk kisha shumë për të treguar, ndërsa Kaini, po. Më tha që pas ngjarjes së rëndë që shkaktoi, ishte larguar për në Greqi e prej andej, me maune mallrash, kishte përfunduar në Angli. E gjitha kjo kishte zgjatur nëntë muaj të gjatë reflektimi, pendese e fajësimi të vetes për gjithçka akishte ndodhur në ato tetëmbëdhjetë vite të jetës së tij. Pastaj ardhja në Angli kishte qenë e vështirë, sidomos momenti kur nuk mund t’i gjendej të atit në çastet e fundit të jetës.
-Gjithë këto kohë kam kujtuar fjalë te babait e të mësuesve ndaj meje. Tani dhe mjedisi ku jetoj e punoj ka ndikuar për mirë tek unë.
-Po me Bekon, – i thashë, – si i rregulluat punët?
-Për fatin e mirë kishim lidhje miqësore, që ndikuan fort te familja e tij, e cila pranoi të më falë. Më kollaj, sigurisht, e patëm me policinë. Hollësitë nuk kanë shumë rëndësi, por dhe me ata i kopsita letrat. Edhe Bekoja është në Angli dhe jam takuar me të. Është mirë me punë dhe me hallet e tjera. Edhe unë, falë Zotit, kam gjetur rrugën e drejtë për të ndjekur.
Luan Stafasani
Luan Stafasani u lind më 6 nëntor 1967 në qytetin e Burrelit. Pas arsimit bazë në vendlindje, mbaroi studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji, dega gjuhë shqipe e letërsi në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Në vitin 2012 përfundoi edhe studimet pasuniversitare, master i nivelit të dytë, për gjuhësinë e sotme shqipe. Ka punuar mësues gjuhë-letërsie e drejtues në shkollat 9-vjeçare të mesme në Zrnisht, “Pjetër Budi” në Burrel e “Tahir Hoxha” në Klos. Krijimet e para në prozë, poezi e publicistikë i ka botuar në gazetën “Mati”, revistat “Emathia” dhe “Mësuesi”. Është anëtar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pjetër Budi”, Mat. Vëllimi “Rrëfime nga shkolla është libri i tij i parë.
© Portali Shkollor-