Shkolla “Dëshmorët e Kombit” në Podujevë ka theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe mirëmbajtjes së mjedisit shkollor, duke e cilësuar atë si një element të rëndësishëm të procesit edukativo-arsimor.
Sipas njoftimit të shkollës, oborri i saj përfaqëson një hapësirë ku nxënësit mësojnë, luajnë, socializohen dhe krijojnë kujtime, ndërsa kujdesi i vazhdueshëm për pastërtinë dhe gjelbërimin realizohet falë angazhimit të stafit, nxënësve dhe komunitetit.
Nga shkolla theksojnë se çdo pemë, lule dhe çdo kënd i mirëmbajtur pasqyron kulturën e përgjegjësisë dhe respektit ndaj mjedisit, duke krijuar një ambient të përshtatshëm dhe mikpritës për të gjithë.
Në përmbyllje të mesazhit, shkolla u bën thirrje të gjithë anëtarëve të komunitetit shkollor që të vazhdojnë të kujdesen për këtë hapësirë të përbashkët, me moton se edukimi dhe natyra ecin krah për krah.




