Një projekt i ri mediatik, “Pas Ziles Podcast”, është lansuar në Gjimnazin “Jeta e Re” në Suharekë nga nxënësit e angazhuar në Klubin e Teknikëve të Rinj.
Kjo nismë synon të krijojë një urë komunikimi mes nxënësve, mësimdhënësve, prindërve dhe profesionistëve të fushave të ndryshme, duke trajtuar tema që shkojnë përtej kurrikulës shkollore.
Në kuadër të podcastit do të trajtohen çështje si orientimi në karrierë dhe arritjet profesionale, përdorimi i teknologjisë në mënyrë produktive, gjithëpërfshirja, vullnetarizmi dhe aktivizmi shoqëror i nxënësve, si dhe përditshmëria në shkollë.
Sipas koordinatorit të projektit, Miftar Gashi, publikimi i episodeve në platforma të ndryshme mediatike do t’u japë nxënësve një hapësirë të rëndësishme për prezantimin e ideve dhe sukseseve të tyre, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin e aftësive praktike në media dhe teknologji.
“Pas Ziles Podcast” pritet të shërbejë si një platformë që fuqizon zërin e të rinjve dhe promovon angazhimin e tyre aktiv në shoqëri përmes iniciativave kreative dhe edukative.