Drejtori i ri i Arsimit në Rahovec, Muhamet Morina, ditë më parë doli me një sqarim pasi Ministria e Arsimit ua tërheqi licencat 16 mësimdhënësve të kësaj komune.
Pas këtij rasti, drejtori Morina bëri të ditur se që nga e hëna do të fillojë vizitat në të gjitha shkollat.
“DKA ndjen të nevojshme që nga e hëna të fillojë vizitat në të gjitha shkollat e komunës sonë. Qëllimi i këtyre vizitave do të jetë njohja për së afërmi me kushtet në të cilat zhvillohet procesi edukativo-arsimor, si dhe proceset tjera administrative që lidhen edhe me procesin e vlerësimit të performancës së mësimdhënësve”.
“Gjithashtu, brenda javës do të thërrasim në takim drejtorët e shkollave dhe do të formojmë një komision përgjegjës, të përbërë nga drejtorë të shkollave dhe zyrtarë të DKA-së, për të monitoruar procesin e vlerësimit të performancës së mësimdhënësve në të gjitha shkollat e komunës sonë. Do të kërkojmë nga ky komision që t’i informojë saktë drejtorët e shkollave dhe mësimdhënësit për hapat dhe procedurat e licencimit dhe rilicencimit të mësimdhënësve në mënyrë që të mos paraqiten raste të ngjashme”.
“Qëllimi i formimit të këtij komisioni është gjithashtu, respektimi i procedurave të vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, në mënyrë që t’i drejtohemi me kërkesë të rregullt Departamentit për Licencim të MAShTI-t. DKA synon bashkëpunim të hapur, komunikim të rregullt dhe përkrahje profesionale për secilën shkollë”, ka thënë drejtori Morina. /AlbanainEducation.net/.