Pas dekadash vullnetarizëm, më në fund paguhen mësuesit e shqipes në Greqi

- Advertisement -

Për herë të parë në historinë e diasporës shqiptare, 50 mësues vullnetarë të gjuhës shqipe në Greqi kanë marrë këto ditë pagesën e parë për kontributin e tyre në ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës amtare.

- paragrafi 1 -

Për Diaspora Shqiptare mësuesit kanë treguar se pagesat vijnë në zbatim të kontratave të nënshkruara disa javë më parë, gjatë aktivitetit të Panairit të Punës në Athinë, ku u konkretizua angazhimi i qeverisë shqiptare për mbështetje financiare të arsimit shqip në emigracion.

- Advertisement -

Ky është programi i parë zyrtar që shteti shqiptar implementon në diasporë për të mbështetur financiarisht mësuesit e gjuhës shqipe. Programi “Mësues për Greqinë”, i prezantuar nga Kryeministri Edi Rama në nëntor 2024 gjatë një takimi me komunitetin shqiptar në Selanik, parashikon pagesa simbolike për mësuesit që angazhohen me një normë prej 72 orësh mësimore në vit për klasë shkruan Diaspora Shqiptare.

Kontratat e shërbimit u firmosën pak javë më parë gjatë Panairit të Punës në Athinë, në prani të përfaqësuesve të lartë të institucioneve shqiptare dhe greke, përfshirë Ambasadoren e Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, dhe Drejtoreshën e Qendrës së Botimeve për Diasporën, znj. Mimoza Hysa – një nga zërat më aktivë në mbështetjen e këtij projekti.

Për vite me radhë, këta mësues kanë punuar në mënyrë vullnetare, duke ruajtur dhe përçuar gjuhën shqipe te brezat e rinj në emigracion, shpesh pa asnjë mbështetje institucionale. Pagesat e para janë një njohje simbolike e këtij kontributi të palodhur dhe një hap i parë drejt institucionalizimit të mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë shkruan Diaspora Shqiptare.

- Advertisement -

Programi pritet të zgjerohet në muajt në vijim edhe në vende të tjera ku komuniteti shqiptar është i pranishëm, si Italia, Britania e Madhe, Gjermania, Zvicra dhe SHBA. Qëllimi është që ruajtja e gjuhës amtare të kthehet në një prioritet kombëtar dhe të mbështetet në mënyrë të qëndrueshme nga institucionet e shtetit.

Ky zhvillim shënon një kthesë të rëndësishme për komunitetin shqiptar në Greqi dhe një model të ri të mbështetjes shtetërore për ruajtjen e identitetit kulturor dhe gjuhësor në emigracion.

Marrë nga diasporashqiptare.al