Të mbledhur në studion e programit “E diela shqiptare” në Tv Klan, rubrika “Ka Një Mesazh Për Ty” është e mbushur me 11 fëmijë.
Shota, iniciatorja e këtij takimi të bukur familjar, ka mundur të përfitojë dokumentacionin në Gjermani dhe të kthehet pas 8 vitesh në Shqipëri. Familja e saj, ku janë 12 fëmijë, 6 prej të cilëve të xhaxhait të saj, por që janë rritur të gjithë nga nëna e Shotës, ka mundur të vijë në rubrikën e programit për të takuar njëri-tjetrin dhe prindërit.
Nëna dhe babai i Shotës janë në anën tjetër të ekranit dhe u habitën kur panë fëmijët e tyre të gjithë së bashku, e akoma më shumë për vajzën. Shota, ka edhe një arsye të fortë për këtë takim, një amanet të tyre që nuk e harron ajo e kthen në një premtim solemn.
Shota: Janë më të bukurit e botës. Jam shumë krenare, jemi të gjithë krenarë për ju. Ju falenderojmë për çdo sakrificë, për çdo të mirë që keni bërë për ne dhe unë sot këtu jam mbledhur me të gjithë për t’ju dhënë fjalën se ashtu siç keni thënë gjithmonë, “kam dëshirë që t’ju shoh bashkë si gjithmonë, si dikur në një sofër”. Keni thënë që “kam dëshirë ta mbani dashurinë mes njëri tjetrit siç jua kemi dhënë ne” sepse dikur, kur ishim të vegjël gjithmonë thoshin “që ju lutem duajini më shumë fëmijët e xhaxhait dhe ata të na duan më shumë ne, jo vëllezërit e motrat me njëri-tjetrin” dhe kjo ka vazhduar deri më sot. Ju jap fjalën se do ta duam, respektojmë dhe mbajmë njëri-tjetrin të bashkuar sa të kemi jetë.
Në studio ndodhen 11 fëmijë, ndërsa e 12-ta është në rrugën e kthimit nga Belgjika dhe do të bashkohet me familjen sapo të mbërrijë.