Shkolla “Besim Ndrecaj” në Maçitevë i ka dhënë lamtumirën drejtorit të saj, Elmi Aliu, i cili ka përmbyllur karrierën profesionale pas 38 vitesh kontribut në arsim dhe 16 vitesh në drejtimin e këtij institucioni arsimor, shkruan AlbanianEducation.net.
Me rastin e pensionimit të tij, kolektivi i shkollës ka publikuar një njoftim vlerësues, ku ka rikujtuar rrugëtimin e gjatë profesional të Aliut, përkushtimin ndaj arsimit dhe rolin e tij në zhvillimin e shkollës ndër vite.
Sipas njoftimit, gjatë udhëheqjes së Elmi Aliut, shkolla ka shënuar rezultate të rëndësishme në arsim, ndërsa janë realizuar edhe investime të konsiderueshme për përmirësimin e kushteve të mësimit dhe punës, duke lënë një trashëgimi të çmuar për brezat që do të vijnë.
Postimi i shkollës:
38 VITE PËRKUSHTIM PËR ARSIMIN DHE BREZAT
Ka njerëz që lënë gjurmë me fjalët e tyre, e ka edhe nga ata që lënë gjurmë me veprat e tyre. Drejtori ynë i nderuar, Elmi Aliu, i përket pa dyshim grupit të dytë.
I lindur më 7 korrik 1961 në Maçitevë, hapat e parë të dijes i mori në vendlindje dhe në Mushtisht, për të vazhduar më pas shkollimin e mesëm në QAMO “Jeta e Re” në Suharekë. Dashuria për arsimin e çoi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, ku u diplomua në drejtimin Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.
Në vitin 1988 nisi rrugëtimin e tij si arsimtar i gjuhës shqipe në Maçitevë, duke ia kushtuar jetën edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj. Me profesionalizëm, përgjegjësi dhe përkushtim, nga viti 2000 deri në vitin 2010 ushtroi detyrën e përgjegjësit të shkollës.
Një kapitull i ri filloi në vitin 2010, kur SHFMU “Besim Ndrecaj” u pavarësua nga shkolla e Mushtishtit. Që nga ajo ditë e deri më 7 korrik 2026, z. Elmi Aliu e udhëhoqi shkollën si drejtor, duke e shndërruar atë në një institucion të respektuar dhe të dalluar për sukseset e saj.
Nën udhëheqjen e tij, në bashkëpunim me stafin e përkushtuar të mësimdhënësve, shkolla jonë arriti rezultate të shkëlqyera në nivel komunal dhe në nivel vendi. Gjatë këtyre 16 viteve, falë angazhimit të tij dhe mbështetjes së Komunës së Suharekës, shkolla përfitoi investime të rëndësishme me vlerë mbi 500 mijë euro, duke krijuar kushte gjithnjë e më të mira për mësim dhe punë.
Sot, më 7 korrik 2026, kur mbush 65 vjet dhe mbyll me nder karrierën e tij profesionale, drejtori Elmi Aliu largohet nga detyra, por jo nga kujtimet dhe respekti ynë. Ai largohet me kokën lart, krenar për atë që ka ndërtuar dhe për gjurmët që ka lënë në historinë e shkollës sonë.
I nderuar drejtor Elmi Aliu, në emër të kolektivit të SHFMU “Besim Ndrecaj” – Maçitevë, ju falënderojmë për 38 vjet punë të palodhshme, për udhëheqjen tuaj të mençur, përkushtimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm në arsim.
Ju urojmë pensionim të mbarë, shëndet të mirë, jetë të gjatë, lumturi dhe shumë çaste të bukura pranë familjes suaj. Kontributi juaj do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë dhe krenarisë së shkollës sonë.