Përvetësimi i dijeve të marra gjatë mësimit online dhe mungesa e përqendrimit janë dy problematikat aktuale për nxënësit, pas një periudhe të vështirë të krijuar nga Covid-19.
Në një reportazh të bërë nga Vizion Plus në shkollën e mesme “Sami Frashëri”, si nxënësit ashtu edhe stafi pedagogjik konfirmojnë këto problematika, që ndikojnë në procesin e të nxënit. Nxënësit pohojnë se nuk mund të fokusohen si më parë gjatë mësimit.
Majlinda Ziu, drejtoreshë në gjimnazin “Sami Frashëri” ndër të tjera tha: “Përgjithësisht kanë pasur luhatje në 1 ose 2 nota një pjesë e nxënësve, kryesisht në lëndët e shkencave natyrore. Është përforcuar roli i mësuesit, është përforcuar puna veçanërisht me target-grupet që vumë re sepse në bëmë një lloj skanimi të situatës sapo erdhëm: kush ka nevojë më tepër, ku është më e nevojshme që të ndalemi.”
Mësuesja Jerina Fuga shprehet se ndikimi i dy viteve te pandemisë është i ndjeshëm, por po bëhet çdo gjë që të rikuperohet çdo mangësi: “Një shkëputje e gjatë dhe një ekspozim i vazhdueshëm me internetin dhe mungesa e një kontakti të drejtpërdrejtë me bashkëmoshatarët ka ndikuar, por ne jemi përpjekur vazhdimisht që t’i rikthehemi normalitetit dhe të zhvillojmë aftësitë socio-emocionale të nxënësve me qëllim që të realizojnë aftësitë që kanë.”