Po vjen! Po vjen!
Paketa provuese softuerike GjuhaShqipe.com
Më në fund është e gatshme për instalim Paketa provuese GjuhaShqipe.com. Kjo paketë përmban dy lloj aplikacionesh: ato për mësimin e gjuhës shqipe nga nxënësit, studentët, mësimdhënësit dhe ato për drejtshkrimin e gjuhës shqipe në dokumentet e Microsoft Word nga punëtorët e administratës shtetërore, shkrimtarët, gazetarët etj.
Aplikacionet e Paketës GjuhaShqipe.com mund të përdoren në pajisjet me Android, në pajisjet me iOS, në pajisjet me Ueb, në pajisjet me Microsoft Windows, në pajisjet me Microsoft Office, në varësi të teknologjisë së parapëlqyer.
Ajo që duhet të bësh për përdorimin e këtyre aplikacioneve është të regjistrohesh në portalin GjuhaShqipe.com, t’i përdorësh në ueb ose t’i instalosh në kompjuterët apo telefonat e tu.
Aplikacionet e paketës provuese janë:
1. Drejtshkrimori 3.0 për MS Office
Është versioni më i ri i softuerit shqiptar më të përdorur, me miliona instalime. Softueri është përditësuar e përparuar si nga ana teknike, edhe nga ana gjuhësore, me të cilën kuptohet: a). shtimi i fjalëve të reja që kanë munguar; b). çaktivizimi i disa fjalëve të vjetra, të cilat pothuajse nuk përdoren; c). shtimi i një numri termash bazë nga fusha të ndryshme të dijes etj.
Mund të përdoret në pajisjet me Windows, MS Word, MS Outlook etj.
Integrohet dhe është në pajtueshmëri me MS Office 2013, MS Office 2016, MS Office 2019, MS Office 365.
2. Sinonimia 1.0 për MS Office
Ky është një softuer i ri për gjuhën shqipe që do të funksionojë njëlloj si ai i gjuhës angleze. Shkruesi i një teksti shqip në MS Word, MS Outlook etj., në çdo kohë mund të klikojë mbi fjalën për të cilën dëshiron të ketë sinonimet dhe softueri aty për aty do të sugjerojë sinonimet dhe antonimet e asaj fjale.
Mund të përdoret në pajisjet me Windows, MS Word, MS Outlook etj.
Integrohet dhe është në pajtueshmëri me MS Office 2013, MS Office 2016, MS Office 2019, MS Office 365.
3. Fjalori i madh i gjuhës shqipe 2.0
Përmban rreth 100,000 fjalë e shprehje dhe mbi 200,000 njësi kuptimore. Në këtë fjalor përfshihet shtresa aktive e përditësuar me fjalë e shprehje të shqipes bashkëkohore dhe një pjesë e leksikut pasiv. Deri në fund të vitit do të bëhen shumë përmirësime e përparime, në mënyrë që ky fjalor të jetë burimi më i pasur dhe më i rëndësishëm i fjalëve, të cilat do të jenë të pajisura me çdo të dhënë që lidhet gjuhësisht me fjalën.
Mund të përdoret në pajisjet me Windows, Ueb, iOS, Android.
4. Morfologjia digjitale e shqipes 2.0
Morfologjia digjitale e shqipes është softuer i strukturuar i fjalëve të gjuhës shqipe sipas veçorive gramatikore dhe mund të shfrytëzohet për studime të mirëfillta rreth përvetësimit të gjuhës shqipe.
Ky softuer u vjen në ndihmë nxënësve e studentëve, të huajve që dëshirojnë të mësojnë shqipen, si dhe studiuesve që merren me studime të thelluara në fushën e gjuhës shqipe.
Mund të përdoret në pajisjet me MS Windows, Ueb.
5. Abetarja digjitale e gjuhës shqipe 1.0
Mundëson të mësuarit digjital të shkrimit e leximit, që është faktor kyç për shkollimin e hershëm në mjedisin shtëpiak si rruga më e shpejtë e nxënies dhe e dijes. Zhvillon edhe aftësitë kompjuterike te fëmijët dhe i edukon në përdorimin e teknologjisë në interes të mësimnxënies. Aplikacion i përshtatur për fëmijët nga 5-7 vjeç. Përfshin alfabetin e gjuhës shqipe dhe shumë fjalë të saj, secila e paraqitur në formatin grafik, por edhe në formën tingullore me shqiptimin e saj, si pikënisje drejt mësimit të shkrimit e të leximit..
Mund të përdoret në pajisjet me Ueb, Android, iOS.
6. Fillestarja digjitale e gjuhës shqipe 1.0
Është një softuer mësimor-argëtues për fëmijë, për fillestarë në mësimin e gjuhës, matematikës, kompjuterit etj. Fëmija apo ai që i mëson fëmijës shkrimin, leximin, përdorimin e kompjuterit etj., me këtë softuer multimedial nuk mund të gabojë, por vetëm mund t’ia dalë me sukses mësimit të shkrimit, të leximit dhe të njohurive të tjera. Duke pasur parasysh moshën shumë të re të nxënësit, është menduar gjithashtu që përmes lojërave ai të joshet për mësim, duke krijuar afërsi me dijen, me të mësuarit, pra loja të shërbejë si mënyrë e këndshme për të mësuarit, më pak detyruese dhe stresuese. Aplikacion i përshtatur për fëmijët nga 5-10 vjeç.
Mund të përdoret në pajisjet me Android, iOS, Ueb.
7. Tastiera digjitale e shqipes 3.0 për MS Windows
Përdorimi i plotë i alfabetit të shqipes është domosdoshmëri për të gjithë shqipshkruesit. Me këtë aplikacion mund të konsiderojmë se është zgjidhur problemi për përdorimin e të gjitha shkronjave të alfabetit të shqipes, përkatësisht “Ë / ë” dhe “Ç / ç”, në mënyrë të lehtë.
Disa zgjidhje të tjera janë të vështira dhe të ndërlikuara, shumë pak përdorues arrijnë që t’i praktikojnë, ndërsa Tastiera jonë ofron zgjidhje të shpejtë dhe praktike.
Mund të përdoret në pajisjet me MS Windows.
Tastiera digjitale mund të instalohet në më pak se dy minuta dhe funksionon në çdo aplikacion në kompjuter.
Po ashtu …
Gjatë këtij viti, pas përmirësimit dhe përparimit teknik e gjuhësor të aplikacioneve provuese, do të shtohen edhe aplikacione të tjera shumë të rëndësishme për gjuhën shqipe.
Në fund të faqes sonë GjuhaShqipe.com janë butonat “Raporto gabimet” dhe “Dërgo fjalë të reja”. Ftojmë të gjithë përdoruesit e softuerëve tanë për të shprehur problemet e tyre në këtë fushë, duke na dërguar sugjerime, vërejtje apo fjalë të reja për Drejtshkrimorin 3.0, Morfologjinë digjitale 2.0 apo Fjalorin e madh të gjuhës shqipe. / Gjuha Shqipe.com/