Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se pagat në sektorin publik duhet të rriten për të paktën 10 për qind, ndërsa sipas tij vlera e koeficientit të pagave duhet të jetë 137.5 euro.
Sipas Hotit, çfarëdo vlere e koeficientit më pak se 125 euro nënkupton ulje të pagave në fuqi blerëse në mallra dhe shërbime.
Ai ka thënë se pagat duhet të rriten për 10 për qind për shkak se pagat në sektorin publik nuk janë rritur që nga viti 2016.
“Pagat reale duhet të rriten së paku me 10%. Kjo rritje është modeste, pasi përbën rritje prej 2% në vit. Kështu që, për të siguruar rritje reale të pagave prej 10%, si dhe për të kompensuar zhvlerësimin për shkak të inflacionit siç u diskutua më lartë, vlera e koeficientit të pagave duhet të jetë 137.5 euro. [e njëjta përshtatje duhet të ndodhë edhe për skemat pensionale dhe të ndihmës sociale]”- ka thënë ai.
Sipas tij, Qeveria nuk i përshtati pagat për normën e inflacionit, e as nuk e rriti pagën minimale.
“Qeveria nuk i përshtati pagat për normën e inflacionit, e as nuk e rriti pagën minimale. Rrjedhimisht, për pjesën më të madhe të familjeve (që kanë të ardhura vetëm nga paga) standardi i jetës ra për shkak të reduktimit të konsumit”- ka thënë ai.
Hoti ka kritikuar Qeverinë edhe lidhur me mos caktimin e vlerës së koeficientit.
Ai ka thënë se kjo ka krijuar pasiguri tek punëtorët.
“Edhe pse ligji i pagave është shpallur në Gazetën Zyrtare më 5 janar 2023, Qeveria ende nuk e ka caktuar vlerën e koeficientit. Rrjedhimisht, askush nuk e di sa do ta ketë pagën në muajin shkurt. Kjo ka krijuar pasiguri tek të punësuarit, pasi shumë prej tyre kanë kredi apo obligime të rregullta mujore. Mos caktimi i vlerës së koeficientit përbënë shkelje të të drejtave të punëtorëve”- ka shkruar ai ne Facebook.
Vlera e koeficientit përmes të cilit caktohen pagat e zyrtarëve publikë ende nuk dihet zyrtarisht, ndonëse Ligji për paga është publikuar në Gazetën Zyrtare në fillim të janarit.
Disa ditë më parë Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se vlera monetare e koeficientit pritet të caktohet gjatë këtij muaji.