Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dërguar Telegrafit, paga bazë për mësuesit që japin mësim në shkolla fillore është 421.20 euro, ndërsa në shkollë te mesme kjo pagë është 459.95 euro.
“Paga bazë e një mësuesi të shkollës fillore është 421.20 euro, ndërsa paga e një arsimtari në shkollë të mesme është 459.95 euro. Për mësuesit parafillor kjo pagë është 393.22 euro”, thuhet në përgjigjet e dërguara nga Ministria e Arsimit.
Paga e një mësimdhënësi në Shqipëri është 477.85 euro.
Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) në raportin për tregun e punës dhe arsimit tregon se një mësimdhënës paguhet 59,921 lekë, apo 477.85 euro.
“Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në arsim gjatë vitit 2017 ishte 59,921 lekë [477.85 euro]. Për një mësimdhënës paga ishte 64,869 lekë [517.31], ndërsa për një mësimdhënëse ishte 55,968 lekë [446.33 euro]”.
Një mësimdhënës në Maqedoni Veriore paguhet 365.74 euro.
“Për një mësimdhënës paga në vitin 2018 ishte 22,488 denarë [365.74 euro]”, thuhet në raportin “Maqedonia në numra, 2018”, prezantuar nga Enti i Statistikave të Maqedonisë Veriore.
Forumi Ekonomik Botëror ka bërë renditjen e dhjetë vendeve që paguajnë më shumë mësuesit në bazë të të dhënave të publikuara nga Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik.
Nga kjo renditje, Luksemburgu është një nga vendet ku mësuesit kanë paga më të larta.
Paga vjetore për mësuesit në Luksemburg është 79 mijë dollarë [69,300 euro], ndërsa për ata me përvojë shkon deri në 137 mijë dollarë [120,200 euro], ndjekur nga Zvicra ku paga vjetore e mësuesve në këtë vend është 69,865 dollarë [61,300 euro] dhe në vend të tretë është Gjermania, ku një mësues paguhet me një pagë vjetore prej 61,589 dollarësh [54 mijë euro].
Në vend të katërt është Norvegjia, ndjekur nga Danimarka, SHBA-ja, Spanja, Australia, Holanda dhe Kanadaja që përfundon në vendin e dhjetë.
Mësuesit zviceranë janë të pakënaqur me të ardhurat që janë 39 për qind më të ulëta se ato që ofrohen në lëmin e financave për kualifikime të njëjta. Kjo rezulton nga një studim për krahasim pagash i realizuar nga organizata e mësuesve të Zvicrës, i cili është prezantuar të enjten.
Studimi i është referuar kantonit Aargau si pikë referimi. Në këtë kanton, mësuesit me një pagë vjetore fillestare prej 77 mijë frangash janë dukshëm mbrapa në krahasim me profesionet në ekonominë private që kërkojnë kualifiko të përafërta, shkruan “Aargauer Zeitung”. Gazeta e citon drejtorin e qendrës koordinuese për studime në arsim të ketë thënë: “Askush nuk bëhet mësues për shkak të pagës. Por gjithnjë më tepër të rinj, për shkak të pagës, nuk bëhen mësues”.
Sipas studimit në fjalë, ky dallim në paga si dhe stresi i punës në arsim bën që të punësuarit në këtë fushë gjithnjë më shpesh të braktisin punën e mësuesit. Kështu, pas një viti punë, profesionin e arsimtarit e braktisin 16 për qind, pas 5 vitesh 35 për qind ndërsa pas dhjetë vitesh madje 50 për qind e tyre, që në vetvete përbën një fenomen dramatik. Prandaj, siç thotë kryetari i Federatës së Mësuesve të Zvicrës, Beat Zemp, “asnjë degë tjetër nuk do t`ia lejonte vetes që pas dhjetë vitesh të humbë gjysmën e punëtorëve të saj”.
Për këtë arsye federata në fjalë kërkon që për vitin 2015 pagat në arsim të rriten në nivelin e atyre që paguhen për veprimtaritë në ekonominë private që kërkojnë angazhim të njëjtë. Veç kësaj, edhe shtrenjtimit vjetore të çmimeve që bëhen ndërkohë, duhet të reflektohen në pagat e mësuesve, kërkon federata. Po ashtu nevojitet edhe një garanci ligjore për zhvillimin e pagave në arsim, e cila do t`u ofronte mësuesve një perspektivë të besueshme të ardhurash.
Vetëm në këtë mënyrë mund të luftohet mungesa e mësuesve, mungesë kjo e cila vetëm sa po ashpërsohet me rritjen e numrit të fëmijëve dhe me pensionimin masiv të arsimtarëve .
Raporti mbi arsimin i vitit 2014 parashikon një rritje vjetore prej 10 për qind të nevojave për mësimdhënës në Zvicër
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2017 paga mesatare bruto në Kosovë, përfshirë këtu pagat në sektorin publik, privat dhe publiko-privat ishte 528 euro.
“Në vitin 2012 paga mesatare bruto në Kosovë ishin 431 euro, derisa në vitin 2017 ishte 528 euro, një rritje prej 97 eurosh ose 22.5 për qind. Derisa, paga neto nga 384 euro sa ishte në vitin 2012, është rritur në 471 euro në vitin 2017 me 87 euro më shumë ose 22.7 për qind”, thuhet në të dhënat e ASK-së.