Studentët e Gjilanit qysh në muajin gusht kanë aplikuar për përfitimin e bursave komunale për vitin 2024/25 por deri sot ata nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar madje as nuk kanë parë listë te përfituesve cka ata i bënë dyshues se cfarë ka ndodhur me procesin dhe paratë e ndara për bursa me buxhetin e vitit të kaluar.
Në kushte anonimiteti këte e ka raportuar një studente, apllikuese për bursë.
Ndërkohë nga Drejtoria e Arsimit për Radio Dukagjini bëhet e ditur se kjo vonesë lidhet me çështje procedurale, pasi konkursi është hapur në fund të gushtit, në një periudhë që përkoi me zhvillimet zgjedhore, duke ndikuar në mosformimin me kohë të komisionit nga Kuvendi Komunal.
Sipas shefit të personelit në Arsim, Burim Sadiku, drejtoria tashmë ka përfunduar pjesën më të madhe të verifikimeve administrative, ndërsa dosjet pritet të procedohen në Kuvend për vendimmarrje.
Ai ka shtuar se, nëse gjithçka shkon sipas planit, procesi mund të përmbyllet gjatë këtij muaji, duke hapur rrugë që pagesat për studentët përfitues të nisin brenda këtij muaji ose në fillim të muajit pasues.