Nxënësit e klasave të gjashta dhe të shtata të shkollës fillore të mesme të ulët SHFMU “Tefik Çanga” në Ferizaj kanë zhvilluar një orë mësimore ndryshe, të karakterizuar nga kreativiteti, frymëzimi dhe lidhja me natyrën, shkruan AlbanianEducation.net.
Në kuadër të orës së Gjuhës Shqipe, nxënësit zhvilluan një aktivitet letrar në ambientet e jashtme të shkollës, ku të ulur në oborr dhe të rrethuar nga natyra e gjallë e muajit maj, ata shkruan ese të frymëzuara nga mjedisi përreth. Cicërimat e zogjve dhe atmosfera e qetë e oborrit shkollor shërbyen si burim frymëzimi për punimet e tyre.
Disa nxënës i pasuruan fletoret e tyre me elemente natyrore si gjethe, ndërsa të tjerë u fokusuan në përshkrimin artistik të lëvizjes së zogjve dhe peizazhit përreth. Aktiviteti rezultoi në ese të larmishme, të cilat reflektuan imagjinatën dhe ndjeshmërinë e nxënësve.



Ky aktivitet u organizua nga mësimdhënëset e Gjuhës Shqipe, Lendita Topalli, Vlora Baftiu dhe Sypie Goga, të cilat theksuan rëndësinë e mësimit praktik dhe integrimit të natyrës në procesin edukativ.