Nxënësit e klasave të 9 në Shqipëri dhe Kosovë për herë të parë po konkurrojnë në një olimpiadë të përbashkët të gjuhës shqipe.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në një postim në rrjetet sociale tha se “kjo olimpiadë është një nismë për të thelluar njohuritë e tyre në gjuhën shqipe dhe letërsi, si dhe për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve me qëllim pasurimin dhe ruajtjen e gjuhës tonë amtare”.
“Pas tri fazave konkurrim, në shkolla, në nivel zyrash arsimore dhe më pas kombëtar më të mirët nga Shqipëria dhe Kosova do të konkurrojnë në finalen ndërshtetërore, që do të zhvillohet në Tiranë më 10 prill 2025”, tha Manastirliu.
Nxënësit shprehen të kënaqur me pjesëmarrjen në fazën e tretë të olimpiadës së gjuhës shqipe ku po shpalosin njohuritë e tyre.
Nxënësit e kualifikuar deri në këtë fazë dallohen për mendimin analitik, aftësinë për të analizuar tekstet me thellësi, si dhe për një fjalor të pasur e të saktë.
Përveç talentit të tyre gjuhësor, ato shfaqin vetëbesim dhe një ndjenjë të fortë të identitetit kulturor./ATA/