Iris Krekos, nxënëse në Shkollën Fillore të Loutrópolis Thérmis në Mitilini, Greqi, është vlerësuar me Çmimin e Parë Mbarëkombëtar në një konkurs letrar për poezi dhe tregime. Ajo është fëmijë me prindër shqiptarë dhe njëkohësisht ndjek mësimet në shkollën shqipe “Gjergj Fishta”, shkruan Diaspora Shqiptare.
Ky çmim konsiderohet një arritje e rëndësishme për vetë nxënësen, por edhe për institucionet arsimore ku ajo zhvillon mësimet. Me këtë rast, në Parkun e Shën Irinit në Mitilini u organizua një aktivitet për nder të Iris Krekos, ku morën pjesë nxënës, prindër dhe mësues të shkollës.
Përfaqësues të shkollës theksuan se ky vlerësim është rezultat i përkushtimit të nxënëses dhe mbështetjes që i jepet zhvillimit të krijimtarisë në shkollë. Iris mori pjesë në konkurs me poezi dhe tregime, të cilat u përzgjodhën si më të mirat në nivel kombëtar shkruan Diaspora Shqiptare.
Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” ka reaguar duke përgëzuar nxënësen për përfshirjen dhe angazhimin e saj në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqipe.
Përmes këtij vlerësimi, Iris Krekos bëhet një nga përfaqësueset e brezit të ri të fëmijëve me origjinë shqiptare që arrijnë të duken në sistemin arsimor grek.
Marrë nga diasporashqiptare.al