Një tjetër sukses i rëndësishëm vjen nga shkolla “Mushnikova” në Prizren, ku nxënësja Maida Bajrami ka arritur të dallohet në mesin e 211 pjesëmarrësve në fazën komunale të Olimpiadës së përbashkët në lëndën e Gjuhës Shqipe, shkruan AlbanianEducation.net.
Sipas njoftimit të shkollës, Maida është renditur në mesin e nxënësve më të mirë, duke fituar vendin e dytë në fazën e dytë të kësaj gare, çka përbën një arritje të rëndësishme akademike dhe një dëshmi të përkushtimit të saj në mësim.
Nga drejtuesit e shkollës theksohet se ky sukses reflekton jo vetëm talentin dhe punën e palodhur të nxënëses, por edhe mbështetjen e vazhdueshme të mësimdhënëses Anita Krasniqi, si dhe angazhimin e përgjithshëm të institucionit arsimor në ngritjen e cilësisë në mësimdhënie.


Shkolla “Mushnikova” ka shprehur krenarinë për këtë arritje, duke besuar se Maida Bajrami do të vazhdojë të shënojë suksese edhe në të ardhmen.
Nxënësja tashmë pritet të përfaqësojë shkollën dhe komunën në fazën shtetërore të Olimpiadës së Gjuhës Shqipe, e cila do të mbahet më 9 maj në Prishtinë.