Nxënësja e shkollës “Mihal Grameno” – Aneksi 2, Jeta Limani, ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare të sportit, duke fituar vendin e tretë në kampionatin Campionato Nazionale ed Internazionale di Ginnastica Artistica, i mbajtur në Pesaro të Italisë nga 30 maji deri më 2 qershor 2026, shkruan AlbanianEducation.net.
Jeta, e cila prej vitesh po spikat me rezultate të shkëlqyera në gjimnastikën artistike, shtoi edhe një medalje të vlefshme në koleksionin e saj të sukseseve, duke përfaqësuar me dinjitet veten, familjen, shkollën dhe Kosovën në këtë garë prestigjioze ndërkombëtare.
Shkolla në njoftim thotë se suksesi i saj vjen si rezultat i talentit, disiplinës, përkushtimit dhe punës së pandërprerë në sport, duke dëshmuar se angazhimi i vazhdueshëm sjell rezultate të mëdha.

Pas kthimit nga Italia, Jeta u prit me duartrokitje dhe entuziazëm nga shokët dhe shoqet e klasës, të cilët ndanë së bashku gëzimin për këtë arritje të veçantë. Arritja e saj konsiderohet një krenari për komunitetin shkollor dhe një frymëzim për nxënësit e tjerë që synojnë suksese në fusha të ndryshme.

Me këtë rezultat, Jeta Limani vazhdon të konfirmohet si një nga talentet premtuese të gjimnastikës artistike, duke i sjellë nder shkollës dhe vendit në garat ndërkombëtare.