Policia franceze po merr në pyetje një nxënëse pasi dyshohet se ka goditur me thikë për vdekje asistenten e shkollës, gjatë kontrollit të çantave.
Sipas raportimeve të France24, zyrtarët kanë thënë se nxënësja e shkollës së mesme është arrestuar pasi sulmoi asistenten 31-vjeçare me thikë gjatë një kontrolli çante në Nogent në Francën lindore.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe presidenti francez Emmanuel Macron, duke thënë se:
“Ndërsa mbronim fëmijët tanë, një asistente mësuese humbi jetën, viktimë e një vale të pakuptimtë dhune”.
Ai tutje ka shtuar se “kombi është në zi dhe qeveria është mobilizuar për të ulur krimin”.
Është bërë e ditur se nxënësja që ka sulmuar, është 15 vjeçare dhe nuk kishte precedent penal.
Ndërkohë, zyrtarët e arsimit kanë thënë se asistentja mësuese kishte marrë disa plagë me thikë pikërisht kur po fillonin mësimet, dhe sulmuesi i dyshuar dhe arrestuar, “duket të jetë një nxënës në shkollë”.
Franca ka parë vitet e fundit një seri sulmesh ndaj mësuesve dhe nxënësve nga nxënës të tjerë të shkollës. Ndërsa, në mars, policia franceze kishte nisur kërkime të rastësishme për thika dhe armë të tjera të fshehura në çanta në shkolla dhe përreth tyre.