Nxënësja Eni Ademi nga Gjilani ka shënuar një sukses të rëndësishëm ndërkombëtar, duke u vlerësuar me çmimin e parë në piano në konkursin prestigjioz “Musica Italia Grande Prize”, të mbajtur në Itali, shkruan AlbanianEducation.net.
Ademi, e cila është nën udhëheqjen e mësueses Dafina Bajrami, ka arritur të dallohet mes garuesve nga vende të ndryshme, duke impresionuar jurinë me interpretimin e saj në piano dhe nivelin e lartë artistik.
Ky vlerësim përbën një arritje të madhe si për vetë nxënësen, ashtu edhe për Shkollën e Muzikës në Gjilan, duke dëshmuar përkushtimin dhe punën e vazhdueshme në zhvillimin e talenteve të reja në fushën e muzikës klasike.

Suksesi i Enit në këtë garë ndërkombëtare konsiderohet një tjetër dëshmi e potencialit të artistëve të rinj nga Kosova në skenat evropiane dhe më gjerë.
