Pianistja e re nga Gjilani, Eni Ademi, po shënon suksese të jashtëzakonshme në skenën e muzikës klasike, duke u renditur ndër talentet më premtuese të gjeneratës së saj. Gjatë vitit 2026, ajo ka arritur rezultate të shkëlqyera në një sërë konkursesh kombëtare dhe ndërkombëtare, ku është vlerësuar me çmime të para, çmime absolute dhe mirënjohje të veçanta artistike.
Ndër sukseset më të rëndësishme të saj veçohen vendi i parë në konkursin ndërkombëtar “Musica Italia Grand Prize” në Itali me 95 pikë, çmimi i parë në garën artistike “Prishtina Talent 2026” me 98 pikë, si dhe çmimi i parë në konkursin ndërkombëtar “Tirana Talent 2026”, ku arriti rezultatin maksimal prej 100 pikësh.
Eni Ademi ka triumfuar gjithashtu në konkursin ndërkombëtar “Tempo në GjiroKlasika 2026” në Gjirokastër, ndërsa është shpallur fituese e Çmimit të Parë Absolut në konkursin “Thesari i Muzikës Klasike 2026” dhe në “Mitrovica International Classical Competition 2026”, duke marrë në të dyja rastet nga 100 pikë.

Përveç rezultateve konkurruese, pianistja e re është nderuar edhe me disa çmime speciale, përfshirë Çmimin e Virtuozitetit në “Prishtina Talent 2026”, Çmimin e Jurisë në “Mitrovica International Classical Competition 2026”, si dhe çmimin “Aferdita Agushaj Ismajli” për interpretim të nivelit të lartë artistik në konkursin “Thesari i Muzikës Klasike 2026”.

Si rezultat i këtyre arritjeve, Eni Ademi është shpërblyer me bursë ndërkombëtare në vlerë prej 80 për qind nga International Piano Balkan Academy “Sigismund Thalberg”, në bashkëpunim me Accademia Musicale Europea në Itali dhe Trinity College London. Kjo bursë u akordohet vetëm nxënësve që dëshmojnë nivel të lartë artistik dhe rezultate të jashtëzakonshme në piano.

Falë këtyre sukseseve, Eni do të përfaqësojë Kosovën në aktivitete dhe programe ndërkombëtare të akademisë, duke marrë pjesë në koncerte dhe ngjarje prestigjioze në Romë, Vienë dhe Spanjë.
Arritjet e saj konsiderohen një dëshmi e talentit, përkushtimit dhe punës së vazhdueshme në muzikë, duke sjellë krenari për familjen, mentorët e saj, qytetin e Gjilanit dhe mbarë Kosovën.