Amanda Dedej është sportistja 12-vjeçare që ka arritur të marrë medalje ari në Ballkaniadën e 27-të të karatesë për fëmijë që u zhvillua në Tivar të Malit të Zi.
Sportistja nga Dushku i Lushnjës ka arritur të mposhtë kundërshtarët për kategorinë nën 50 kilogramë duke bërë krenar ata që e shoqëronin e duke ngritur lart ngjyrat kuq e zi. Vetë Amanda shprehet se sekreti i suksesit të saj qëndron te puna dhe pasioni për këtë sport.
“E kam nisur që 4 vjeç dhe kam 8 vite që merrem e ushtroj këtë sport. E kam pasion dhe është shumë sport i bukur,” – u shpreh 12-vjeçarja.
Një gëzim i dyfishtë ky sukses ka qenë dhe për babain e Amandës i cili është njëkohësisht trajner i ekipit kombëtar.
Sipas tij rezultati i arritur dhe ecuria gjatë ndeshjeve të zhvilluara dëshmojnë se Amanda ka potencialin për arritje të tjera në këtë sport.
Në Ballkaniadën e Karatesë morën pjesë gjithsej 1345 sportistë, ndërsa Shqipëria u përfaqësua me 15 sportistë, 12 djem dhe 3 vajza./euronews.al