Gjimnazi i shkencave natyrore “Sami Frashëri” ka shënuar një sukses të rëndësishëm në fushën e arsimit, pasi nxënësja Alba Çerkini ka arritur të zërë vendin e parë në nivel të Republikës së Kosovës në garat republikane të Kimisë për klasat e njëmbëdhjeta, shkruan AlbanianEducation.net.
Sipas njoftimit të shkollës, ky rezultat konsiderohet si një arritje e jashtëzakonshme, që reflekton përkushtimin dhe angazhimin e vazhdueshëm të nxënëses në këtë lëndë shkencore. Po ashtu, në suksesin e saj ka ndikuar edhe mbështetja profesionale e profesoreshës së Kimisë, Jehona Hasanaj.
Ky rezultat vlerësohet si dëshmi e cilësisë së punës edukative dhe arsimore në këtë institucion, duke e renditur gjimnazin ndër shkollat me performancë të lartë në garat e dijes në nivel vendi.
Nga drejtuesit e shkollës janë shprehur urime për nxënësen dhe profesoreshën, duke e cilësuar këtë sukses si frymëzim për të gjithë nxënësit e tjerë.
