Nxënësit e mësimit të gjuhës shqipe e kulturës shqiptare dhe të arsimit parashkollor të Zagrebit dhe Velika Goricës zhvilluan ditën e shtunë, më 15 shkurt 2025, orën e hapur mësimore me temë: Flasim për Kosovën, në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Zagreb.
Fëmijët shoqëroheshin nga mësuesja e tyre Melita Orešković dhe prindërit, duke shënuar kështu 17 Shkurtin, Ditës së Pavarësisë së Kosovës dhe u pritën nga Ambasadori Martin Berishaj, bashkëshortja e tij Flora Berishaj dhe stafi i Ambasadës
Nxënësit, gjatë orës mësimore interaktive folën për historinë, kulturën shqiptare, heronjtë, presidentët e Kosovës, drejtuan pyetje ambasadorit Berishaj për rrugëtimin historik të Kosovës deri në shpalljen e Pavarësisë, madje ishin kurioz të dinin nga ambasadori: Si e kanë përjetuar luftën fëmijët në Kosovë? Përse flamuri i Kosovës është ndryshe nga flamuri kombëtar kuq e zi? A kanë të drejtë për dyshtetësinë? Përse nuk ka edhe ambasador të fëmijëve?
Ambasadori Berishaj, në përgjigjet e tij, shpjegoi sfidat dhe përpjekjet e popullit shqiptar në Kosovë për liri e shtetformim dhe se ata, fëmijët, janë ambasadorët e vërtetë. Në fund, ai i porositi nxënësit që ta duan atdheun, gjuhën dhe kulturën e tyre, duke i inkurajuar të mbajnë gjallë identitetin kombëtar kudo që ndodhen.
Nxënësit të drejtuar nga mësuesja Orešković prezantuan vizatimet e tyre, krijimet letrare për pavarësinë e Kosovës dhe recituan poezi e kënduan këngë kushtuar 17 Shkurtit dhe Kosovës. Ndërsa një prej nënave të fëmijëve Donika Morina tregoi për gjyshin hero Adem Morinën, që ka dhënë jetën për lirinë e Kosovës.
Në përfundim të mësimit ambasadori së bashku më fëmijët dhe mësuesen prenë dhe tortën me dizajnin e flamurit të Kosovës, të cilën e kishte përgatitur një nga nënat shëmbullore enkas për këtë aktivitet.
Kjo orë mësimore e veçantë tregoi dashurinë e fëmijëve për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare, si dhe krenarinë e tyre për identitetin shqiptar, sepse ata janë brezi i ri, që do ta ruajnë dhe kultivojnë trashëgiminë kombëtare. / Marrë nga diaspora shqiptare