Nxënësit hasin në pengesa për aplikim online për test të maturës

- Advertisement -

Aplikimi për test të maturës përmes platformës “E-Kosova” për disa maturantë në Prishtinë është kthyer në sfidë. Në gjimnazin “Ahmet Gashi” nxënësit kanë thënë se kanë vështirësi në përdorimin e sistemit dhe shprehin shqetësimin se mund të mbesin jashtë listave të testit.

- paragrafi 1 -

Maturantët të shkollave në Prishtinë kanë hasur në vështirësi për të aplikuar përmes sistemit elektronik “E-Kosova” për test të maturës.

- Advertisement -

Në klasën 12/3, në gjimnazin “Ahmet Gashi” në Prishtinë, disa nxënës kanë thënë se kanë paqartësi në aplikim.

Ata janë ankuar edhe për mosfunksionim të sistemit “E-Kosova”.

“Më mirë është që të vijmë në shkollë dhe të aplikojmë këtu dhe të na tregojnë më saktësisht se si të aplikojmë, sesa përmes telefonit ose online, sepse mund të ketë shumë probleme që mund të mos e dish se çka po ndodh dhe ta humbin afatin e testit”, ka thënë maturantja Elmedina Gashi.

- Advertisement -

E shoqja e saj, Dea Hyseni, ka frikë se edhe mund të humbet viti.

“Kemi frikë se qysh e dimë që prej gjeneratës së kaluar ka shumë që kanë mbetur një vit pa u regjistrua në fakultet e pa hy në test”, ka thënë ajo.

Por, pati edhe nxënës për të cilët aplikimi online ishte i lehtë.

“Unë kam aplikuar, por shoqet e mia nuk kanë mundur të aplikonin, sepse kanë pasur probleme gjatë procedurës”, ka thënë Vesa Sogojeva, maturante.

Drejtori i gjimnazit “Ahmet Gashi”, Haxhi Metaj, ka thënë se ka pasur ankesa nga nxënësit që nuk patën njohuri si të aplikojnë ose edhe për shkak të problemeve me sistemin.

“Sekretarja e shkollës është e angazhuar dhe në momentin që nxënësi ankohet se nuk po mund të aplikojë përmes “E-Kosovës” shkon te sekretarja dhe e zgjidh problemin”, ka thënë Metaj.

Ministria e Arsimit ka publikuar videon udhëzuese që tregon mënyrën se si duhet të
aplikojnë nxënësit për test të maturës përmes platformës online.

Por, në Këshillin e Prindërve të Kosovës mendojnë se duhet të ndahen më tepër informacione paraprake te nxënësit.

“E shoh si mangësi që institucionet si MASHT, DKA-të dhe shkollat t’i parapërgatisin nxënësit dhe jo në momentin e fundit ata të kenë probleme, pamundësi të plotësimit të formularëve e mundësi të pakta të informimit”, ka deklaruar Visar Islami, nënkryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës.

Njohësi i sigurisë kibernetike, Korab Keqekolla, ka thënë se përdorimi i teknologjisë e lehtëson punën, por duhet më tepër familjarizim i nxënësve me platformën.

“Procesi ka qenë mjaft i thjeshtë dhe i lehtë e çka ka pasur mungesë  është informimi i maturantëve mbi procesin e hapjes së llogarive në “E-Kosova”… Është shumë më mirë që ndoshta të kemi një shkëputje të sistemit disasekondëshe ose minutëshe, sesa ta kemi  një radhë të gjatë klasike në shkollat tona”, ka theksuar Keqekolla.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë bërë të ditur se që nga data 27 maj, kur është hapur aplikimi e deri të hënën, janë kryer mbi 12 mijë aplikime nga maturantët.

Kjo formë e paraqitjes së testit të maturës ka nisur që nga viti i kaluar.

Më 2024, 500 nxënësve u është refuzuar aplikimi për shkak të aplikimit jo të saktë ose problemeve me platformën. /KOHA.net