Nxënësit e zhvendosur në kryeqytet nuk mund të regjistrohen në klasë të 10-të

- Advertisement -

Nxënësit të cilët e kanë përfunduar shkollimin e obligueshëm jashtë komunës së Prishtinës, edhe nëse ndërkohë janë zhvendosur në kryeqytet, nuk po mund të regjistrohen në klasën e 10-të në kryeqytet.

- paragrafi 1 -

Kjo për shkak se në konkursin për regjistrimin e nxënësve në klasë të 10-të për vitin shkollor 2025/2026 ekziston një kriter, i cili lejon të regjistrohen vetëm nxënësit që e kanë përfunduar shkollimin e obligueshëm në komunë të Prishtinës.

- Advertisement -

Ky kriter nuk përfshinë regjistrimin e nxënësve në gjimnazin matematikor dhe në ato drejtime në shkollat profesionale në Prishtinë, të cilat janë mungesë në komunat tjera.

Një prind ka raportuar në KALLXO.com se fëmija i tij ka përfunduar klasën e 9-të në Fushë Kosovë dhe janë zhvendosur në Prishtinë, por edhe pse kanë dëshmuar përmes certifikatës së vendbanimit se jetojnë në Prishtinë, regjistrimi i tij nuk është pranuar në gjimnazin “Xhevdet Doda”.

KALLXO.com e ka parë certifikatën e vendbanimit të këtij nxënësi që është lëshuar nga Komuna e Prishtinës më 08.07.2025, kurse një vërtetim i datës 07.02.2025 po ashtu dëshmon se nxënësi jeton në Prishtinë.

- Advertisement -

Samir Shahini, drejtor i Arsimit në Prishtinë në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com e ka konfirmuar se janë paraqitur në këtë Drejtori raste të tilla nga komuna të ndryshme të afërta, përfshirë edhe Fushë Kosovën.

Sipas Shahinit, çdo rast trajtohet individualisht, por vendimet merren në përputhje me kriteret e konkursit të publikuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit.

Kurse, Osman Buleshkaj, drejtor i Institutit Pedagogjik të Kosovës ka thënë për KALLXO.com se nëse nxënësi jeton në Prishtinë dhe ka dëshmi që jeton në Prishtinë, atëherë ai ka të drejtë të regjistrohet në Prishtinë.

“Kjo është në përputhje me Nenin 13, pika 3 e Ligji Nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar. Pra nxënësi ka të drejtë të regjistrohet në Gjimnaz në komunën ku jeton, dhe ka dëshmi për këtë.” – ka thënë Buleshkaj, më 09.07.2025.

Sipas Buleshkajt, kushti i përcaktuar në konkurs u jep përparësi nxënësve të Prishtinës të regjistrohen në klasën e 10-të në drejtimet e preferuara. Përjashtimisht, ky kusht nuk vlen për drejtimet e caktuara të cilat nuk janë opsion në komunën ku nxënësi e ka përfunduar arsimin e obligueshëm.

“Me fjalë tjera, nëse në komunën e Fushë Kosovës ka Gjimnaz (të shkencave natyrore dhe/apo shkencave shoqërore dhe gjuhësore) atëherë nxënësi që jeton në Fushë Kosovë duhet të regjistrohet në Fushë Kosovë.” – ka shtuar Buleshkaj.

Buleshkaj ka theksuar se Drejtoria e Arsimit në Prishtinë dhe Ministria e Arsimit, si dhe Inspektorati i Arsimit duhet të sigurohen se është duke u respektuar legjislacioni në fuqi sa i përket të drejtës së regjistrimit dhe vijimit në gjimnaze dhe Institucione të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (IAAP).

Avni Rexha, udhëheqës i divizionit të arsimit të përgjithshëm në Ministri të Arsimit kur është pyetur nga KALLXO.com për kriterin në konkursin për regjistrimin e nxënësve në klasë të 10-të në Prishtinë, si dhe për rastin e nxënësit që ka përfunduar klasën e 9-të në Fushë Kosovë, shkurt ka thënë se konkursin e shpallin komunat.

“Ju informoj se konkursin për regjistrimin e nxënësve në klasë 10 e shpallin komunat. Po ashtu të gjitha procedurat e tjera të regjistrimit të nxënësve në klasë 10 i zhvillojnë IEA [Institucionet e Arsimit] në komuna.” – është përgjigjur Rexha, më 09.07.2025.

Nga Inspektorati i Arsimit nuk kanë dhënë përgjigje nëse kanë pranuar ankesa nga prindërit se nuk po mund t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në klasë të 10-të në Prishtinë, edhe pse mund të dëshmojnë se jetojnë në Prishtinë, por që nuk e kanë kryer shkollimin e obligueshëm në këtë komunë.

Edhe Inspektorati i Arsimit tha se Ligji për Arsimin Parauniversitar i’u jep të drejtën komunave që të caktojnë kriteret për regjistrimin e nxënësve në klasën e 10-të.

“Inspektorati i Arsimit sipas planit vjetor të punës, realizon inspektime me temë  regjistrimi i nxënësve në klasën e dhjetë. Pas realizmit të inspektimeve dhe pas konstatimit të gjendjes jepen rekomandimet përkatëse, apo inicohen procedurat adekuate.” – janë përgjigjur nga Inspektorati i Arsimit, më 10.07.2025.

Në anën tjetër, drejtori Shahini ka thënë se kriteri i cili lejon vetëm nxënësit që kanë kryer shkollimin e obligueshëm në Prishtinë të regjistrohen në klasë të 10-të në këtë komunë, është zbatuar edhe viteve të kaluara.

Shahini nuk konsideron se ky kriter është diskriminues për nxënësit që janë zhvendosur në Prishtinë.

“Kriteri është teknik dhe i domosdoshëm për të ruajtur funksionalitetin dhe cilësinë në shkollat publike të Komunës së Prishtinës, duke pasur parasysh kërkesën e lartë për regjistrim.” – ka deklaruar Shahini.

Ai e ka pohuar madje se kriteri është në përputhje me Ligjin për Arsimin Parauniversitar, duke u arsyetuar se ky Ligj njeh kompetencat e komunës për organizimin e sistemit arsimor në nivel lokal, përfshirë rregullimin e kushteve për regjistrim.

“Kriteri është vendosur për të menaxhuar drejt kapacitetet infrastrukturore dhe njerëzore të shkollave publike të kryeqytetit, duke siguruar barazi dhe cilësi në procesin arsimor.” – ka shtuar Shahini.

Ai ka përmendur po ashtu nenin 5 të Ligjit Nr.03/L-068 për Arsimin në Komunat e Kosovës, në të cilin thuhet: “Komuna ka kompetenca të plota dhe përgjegjësi për organizimin, administrimin, menaxhimin, zhvillimin dhe financimin e arsimit parauniversitar publik në territorin e saj, përfshirë: 1.7. përcaktimin e kushteve për regjistrim të nxënësve në pajtim me ligjin.”

Ndërsa, për çdo dokument të dyshimtë që paraqitet në shkolla, gjatë regjistrimit të nxënësve në klasë të 10-të në Prishtinë, Shahini tha se shqyrtohen nga komisionet përkatëse dhe në rastet kur ka indikacione për falsifikim të këtyre dokumenteve si ai i vendbanimit, ato referohen tek organet kompetente.

 Sipas konkursit, i cili është shpallur nga data 07.07.2025, nxënësit kanë afat t’i paraqesin dokumentet e tyre për t’u regjistruar në klasë të 10-të në Prishtinë deri më 10.07.2025, në ora 16:00 në institucionet ku duan të regjistrohen.