Shkolla “Shaban Polluzha” në Korroticë të Drenasit ende nuk i ka hapur dyert për nxënësit e saj. Kjo pasi që punimet që kanë nisur muaj më parë në këtë shkollë, nuk kanë përfunduar ende. Nxënësit thonë se mezi presin që t’u kthehen bankave shkollore, derisa drejtori për Arsim në këtë komunë, thonë se mësimi do të fillojë gjastë ditës së hënë.
Ditën po e kalojnë në oborrin e shkollës. Por dyert e saj për ta edhe sot janë të mbyllura, e bankat shkollore të zbrasta.
Nxënësit e shkollës fillore “Shaban Polluzha” në Korroticë të Epërme të Drenasit nuk po munden t’u kthehen bankave shkollore, edhe pse mësimi tashmë ka filluar në institucionet tjera arsimore.
E malli për bankat shkollore, vërehet te këta nxënës, të cilët pothuajse çdo ditë vizitojnë oborrin e shkollës.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Drenasit, Muhamet Gjoka ka treguar se mësimi nuk ka mundur të fillojë për shkak të punimeve që ishin duke u bërë në këtë shkollë.
Megjithatë, ai ka thënë se procesi mësimor është paraparë të fillojë më 10 tetor.
Edhe menaxheri i kompanisë Delta CCD, Armend Zaraj ka thënë se presin që punimet të përfundojnë me kohë.
Ditën e hënë, në bankat e kësaj shkolle do të kthehen 247 nxënës./Gazeta10