Për shkak të mungesës së mësimdhënësit të lëndës së fizikës për klasën e nëntë në shkollën “Besim Rexhepi” në Komogllavë të Ferizajt, nxënësit nuk kanë mundur të zhvillojnë orën e kësaj lënde nga shtatori deri në fund të dhjetorit të vitit 2021.
Për më shumë se tre muaj të vitit shkollor dy orët e lëndës së fizikës nuk janë zhvilluar sipas sekretarit të shkollës, Arben Mehmeti.
“Me bashkëpunëtorë ka pas probleme, është kryesisht problemi tek punëtorët, sepse janë vetëm dy orë. Mësimdhënësja ka ardh në fund të dhjetorit dhe është bërë vlerësim në mënyrë të përshpejtuar”, ka thënë Mehmeti.
Por, ai ka thënë se orët e kësaj lënde janë mbajtur herë pas here.
“Ne kemi dërguar mësimdhënës të cilët kanë qenë të angazhuar, jam i bindur që nga dy orët kanë mundur t’i mbajnë, por nëse nuk i kanë mbajtur në vazhdimësi dhe nuk i kanë mbajtur tetë orë brenda muajit”, është shprehur Llabjani.
Rinor Qehaja nga Instituti “EdGuard” thotë se mungesa e mësimdhënësve shkon në dëm të nxënësve.
“Procesi i zëvendësimi të mësimdhënësve duhet te jetë shumë më fleksibil dhe transparent – burokracia aktuale në rekrutim të mësimdhënësve të zëvendësuar nga DKA-të është pengesë e drejtpërdrejtë në proces të mësimdhënies. Legjislacioni primar dhe ai sekondar që rregullon punësimin e mësimdhënësve dhe drejtuesve shkollor duhet medoemos të rishikohet dhe rishkruhet”, ka thënë Qehaja.
Tutje, drejtori i DKA-së Afrim Llabjani ka thënë se vlerësimi për periodën e dytë dhe të tretë të këtij viti shkollor duhet të bëhet me mësim plotësues.
“E di që nuk është në mënyrën më të mirë të mundshme ajo, por megjithatë duhet të i’u ipet mundësia që së paku në periodën e dytë dhe të tretë të zihen ato njësi mësimore që do të ju hynë në punë apo të mos i’u pengojnë që ata të mos e kenë suksesin apo rezultatin e dëshiruar që mund ta kenë pastaj në testin e aritshmërisë”, ka thënë drejtori.