Nxënësit e skollës “Emin Duraku” në Prizren kanë dëshmuar edhe një herë frymën e solidaritetit dhe humanizmit, duke mbledhur 1814 euro për Down Syndrome Kosova përmes blerjes së kartolinave në kuadër të kampanjës “Një kartolinë për ty”.
Kjo iniciativë humanitare u realizua në shenjë ndërgjegjësimi dhe mbështetjeje për personat me sindromën Down, duke vazhduar një traditë tashmë të konsoliduar të shkollës në përkrahje të kauzave sociale.
Drejtori i shkollës, Rrahim Bektashi, ka theksuar rëndësinë e edukimit të brezave me vlera të solidaritetit dhe altruizmit, duke e vendosur këtë si prioritet në procesin edukativ.
“Nxënësit tanë janë gjithmonë të gatshëm të jenë pjesë e aksioneve humanitare dhe të kontribuojnë për kategori të ndryshme shoqërore,” thuhet në njoftimin e shkollës.
Nga ana tjetër, shkolla ka shprehur mirënjohje për prindërit dhe nxënësit për kontributin e tyre, duke theksuar se mjetet e grumbulluara do të shërbejnë për nevojat e fëmijëve me aftësi të veçanta që janë pjesë e kësaj organizate.
Me aktivitete të tilla, shkolla “Emin Duraku” vazhdon të promovojë vlerat e humanizmit, duke dëshmuar se edhe gjestet e vogla mund të kenë ndikim të madh në shoqëri.