Mbi 30 nxënës të arsimit fillor dhe të mesëm, nga lagjja Nerez i Epërm i Komunës së Karposhit thuajse çdo të dytën ditë ballafaqohen me mungesë të transportit publik.
Që të mbërrijnë në shkollën fillore “Vëllazërimi” në Nerez ata bëjnë rrugë në këmbë deri në 7 kilometra.
Ekipi i Alsat shoqëroi nxënësit në këtë rrugë pasi autobusi më numër 28 edhe kësaj here nuk erdhi në Nerez të Epërm.
“Autobusi tash duhet të vijë por nuk ka ardhur, është vonuar”.
“Problemi më i madh është se tash po afrohet dimri edhe ne nuk mundemi të shkojmë në këmbë se ka shumë borë, edhe shi kur ka nuk mundemi të shkojmë se lagemi. Këtu ka qen, kafshë të egra, sidomos natën të kthehemi është shumë frikë”.
“Është e vështirë, duhet të shkojmë në këmbë kur nuk ka. Kur mbarojmë në 6 pasdite, duhet të presim deri në ora 7”.
Mungesa e transportit shpesh herë ka ndikuar që nxënësit e shkollës së mesme të vonohen ose të humbin orë nga mësimi.
“Vonohemi, u tregoj që nuk ka autobus dhe na bëjnë mungesat me arsye. Nuk mundemi të shkojmë çdo ditë me makina, ka shpenzime. Dy orët e fundit i lëmë se nuk ka autobus. U humbim mësimet, nuk jemi në orë, duhet të vijmë në shtëpi se nëse nuk vijmë nuk ka autobus”.
Banorët e Nerezit të Epërm të revoltuar nga mungesën e transportit të rregullt publik. theksuan se detyrohen të marrin fëmijët nga shkolla, posaçërisht kur janë në ndërrimin e pasdites.
“Prej këtu deri te shkolla i ka 7 kilometra. Në qoftë se shkon dhe vjen në këmbë i bëhen 14 kilometra. Beso që nisen në këmbë. Dikush prej nesh, edhe pse nuk i kemi fëmijët tanë i marrim dhe i dërgojmë me makinë, por kjo nuk është zgjidhje, nuk jemi çdo herë të lirë, jemi të angazhuar me punët e përditshme”, tha Sami Demiri, banor i Nerezit të Epërm.