Viti i ri shkollor do të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në kurrikulën mësimore, pasi për herë të parë nxënësit e klasës së katërt në Shqipëri do të mësojnë bazat e inteligjencës artificiale (AI), si pjesë e programit të ri të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK).
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ndau një video gjatë një vizite të ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, në shkollën “Isa Boletini” në Paskuqan.
Krahas videos, Rama shkruan se: “Ky vit i ri shkollor do të sjellë një tjetër risi në arsim, ku për herë të parë nxënësit e klasës së katërt do të mësojnë bazat e inteligjencës artificiale, me kurrikulën e re të TIK, teksa vijojmë investimet për zgjerimin e rrjetit të laboratorëve inteligjentë në shkolla. Në çdo shkollë po vijon edhe shpërndarja e librave falas, një lehtësi për familjet në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.”
Ndërkohë, ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, e cila shfaqet në një video, deklaroi se fëmijët kanë akses në platforma si “Code Monkey”, përmes së cilës rreth 35 mijë nxënës kanë mësuar të kodojnë.
“Prej 3 vitesh ne kemi nisur një Program të TIK-ut që nga klasa e parë, por me zhvillimet teknologjike ne kemi mundur të kemi një ndjekje reale edhe të arritjeve të nxënësve që mësojnë përmes platformës ‘Code Monkey’. I kemi mësuar rreth 35 mijë fëmijë si të kodojnë, por nga ana tjetër kemi miratuar edhe kurrikulën e re për klasat e katërta e cila për herë të parë do të sjellë bazat e njohurive për Inteligjencën artificiale.”, tha ministrja Manastirliu.
Kjo nismë është pjesë e një vizioni të qeverisë për modernizimin e sistemit arsimor shqiptar, duke sjellë teknologjinë dhe dijet e avancuara që në ciklin fillor, me synimin për të krijuar gjenerata të reja të përgatitura për epokën digjitale./tvklan.al