Nxënësit e klasave të treta dhe të katërta të shkollës fillore “Mehmet Gjevori” në Prishtinë morën pjesë në një aktivitet edukues dhe argëtues të zhvilluar të mërkurën, më 11 maj. Aktiviteti u organizua nga media për arsim Albanian Education në bashkëpunim me HyperActive.
Aktiviteti, i cili zgjati rreth 45 minuta, u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi interaktiv me nxënësit.
Me nxënësit u bisedua mbi rolin që ka loja në zhvillimin emocional, social dhe fizik të tyre.
Përmes shembujve praktikë dhe pyetjeve të drejtpërdrejta, nxënësit u inkurajuan të reflektojnë mbi rëndësinë e lëvizjes, bashkëpunimit dhe të mësuarit përmes argëtimit. Fëmijët morën pjesë aktivisht në diskutim, duke ndarë mendimet dhe përvojat e tyre rreth aktiviteteve që i ndihmojnë të ndihen më energjikë dhe më të përqendruar.
Gjatë aktivitetit u theksua se loja nuk është vetëm një formë argëtimi, por një element i rëndësishëm për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.
Nxënësit u inkurajuan që, krahas kohës para ekraneve, të gjejnë hapësirë çdo ditë për lojë dhe aktivitet fizik, të cilat ndikojnë pozitivisht në energjinë, përqendrimin dhe mirëqenien e tyre.

Në fund të aktivitetit u zhvillua edhe një kuiz i shkurtër me pyetje lidhur me temat e trajtuara gjatë prezantimit. Si formë simbolike vlerësimi për pjesëmarrjen dhe përgjigjet e sakta, disa nxënësve u janë dhënë bileta falas për vizitë në qendrën e argëtimit HyperActive. Biletat iu dorëzuan mësimdhënësve, të cilët më pas do t’ua përcjellin prindërve.
Aktiviteti pritet të zhvillohet në shkolla edhe të disa komunave të tjera, me qëllim që sa më shumë nxënës të përfitojnë nga mesazhi për rëndësinë e lojës, aktivitetit fizik dhe një stili jetese të shëndetshëm.
Aktiviteti u zhvillua me karakter edukativ dhe informues, me fokus në rëndësinë e lojës dhe aktivitetit fizik tek fëmijët.
*Aktiviteti është realizuar me miratim nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, ndërsa fotografitë e nxënësve janë realizuar me pëlqimin e prindërve dhe në koordinim me drejtorinë e shkollës, duke respektuar rregullat për mbrojtjen dhe privatësinë e fëmijëve.