Në kuadër të Javës së Solidaritetit, më 4 maj 2026, në Gjimnazi “Xhevdet Doda” në Prishtinë u zhvillua një aktivitet humanitar i organizuar nga vetë nxënësit, me qëllim mbështetjen e kauzave bamirëse.
Nxënësit kontribuan duke përgatitur gatime në shtëpitë e tyre, të cilat më pas u ekspozuan dhe u shitën në ambientet e shkollës, duke mundësuar grumbullimin e fondeve për donacion. Ky angazhim u vlerësua si një shembull i mirë i ndërgjegjësimit dhe përgjegjësisë sociale të të rinjve.
Në procesin e dorëzimit të donacionit morën pjesë përfaqësues të stafit shkollor dhe Këshillit të Nxënësve, përfshirë psikologen Shkurtë Bajgora, sekretaren Albana Musa, si dhe kryetaren e Këshillit të Nxënësve Ema Kuçi, së bashku me anëtarët Ari Rama, Verda Muçaj, Flokarta Hoxha, Murik Sylmeta dhe Ukë Beka.
Në kuadër të këtij aktiviteti, nxënësit realizuan edhe një vizitë në Shoqata e të Verbërve, ku zhvilluan bashkëbisedime me anëtarët e saj. Gjatë kësaj vizite, ata u njohën më nga afër me sfidat dhe përditshmërinë e personave të verbër, si dhe me përdorimin e mjeteve ndihmëse, teknologjive asistuese me audio në gjuhën shqipe, alfabetin Braille dhe mënyrat e komunikimit përmes pajisjeve mobile.
Ky aktivitet përcolli mesazhe të rëndësishme solidariteti, empatie dhe përkrahjeje, duke dëshmuar rolin aktiv të nxënësve në ndërtimin e një shoqërie më të ndjeshme dhe gjithëpërfshirëse.