Javën e kaluar nëpër të gjitha fakultetet e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u mbajtën provimet pranuese për në fakultet. Nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” kanë shkëlqyer kudo, në mjekësi, fakultet teknik, në shkenca dhe drejtime të tjera.
Mirëpo e veçanta e kësaj radhe është se nxënësit e kësaj shkolle në nivel vendi kanë shkëlqyer në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe asaj Informatike, duke u radhitur ndër të parët në nivel vendi. Ata i janë nënshtruar testit të matematikës dhe edhe kësaj radhe dolën fuqishëm, ashtu siç bënë vite me radhë kur ishin përfaqësues të rregullt të ekipit të Kosovës në garat ndërkombëtare.
Kështu, pas përpunimit të rezultateve, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike ka nxjerrë mesataren e pikëve të aplikantëve sipas shkollave.
Kështu, del se Gjimnazi i Specializuar Matematikor në Prishtinë, nga 100 pikë të mundshme ka marrë mesatarisht 76 pikë, i pasuar nga Gjimnazi “Xhevdet Doda”, aplikantët e të cilit mesatarisht kanë arritur 72 pikë, derisa Gjimnazi i Shkencave Natyrore “Xhavit Ahmeti” në Gjilan është radhitur i treti me një mesatare prej 68 pikëve.
Më pas pasojnë shkollat “Mehmet Akif”, “Sami Frashëri”, “Jeta e re“, „Hamëz Jashari”, “Haxhi Zeka”, “Bedri Pejani”, “Kuvendi i Arbërit”, “Frang Bardhi”, “Aleksandër Xhuvani”, “Fehmi Lladrovci” dhe “Gjin Gazulli”.
Edhe njëherë u dëshmua se në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” punohet me vullnet e përkushtim dhe si gjithëherë arrihen suksese të mëdha, ngase edhe në të kaluarën nxënësit e kësaj shkolle ia kanë dalë që të sjellin vende të para nga të gjitha garat që janë mbajtur në Kosovë, sikurse që e kanë përfaqësuar shkollën tonë në gara kudo nëpër botë, gjë e cila po ndodh edhe sivjet kur nxënësi i ynë Besnik Haziri, po merr pjesë në garat ndërkombëtare të matematikanëve në Australi.
Për këtë sukses duhet lavdëruar drejtorinë e shkollës, mësimdhënësit e nxënësit që janë më meritorët për këto suksese.