Emisioni “Stop” shkoi në qytetin e Elbasanit pasi një nënë kërkon ndihmë për problematikën e bursës së djalit të saj. Violeta Xhakoj tregon se djali i saj nga shkolla e fshatit Vidhas, u zhvendos në shkollën e Peqinit.
“Bëra dokumentet për një bursë. E kam çuar djalin në shkollën e Pajovës së Peqinit. Më përpara ka qenë në fshatin Vidhas. Ndoqi vitin e parë. I bëra dokumentet se këtu isha, në Bashkinë e Elbasanit. Kur vajta në Bashkinë e Elbasanit më thanë që i kemi transferuar në Bashkinë e Peqinit, se shkolla e Pajovës është me Bashkinë e Peqinit”.
Bashkia e Elbasanit miratoi që djali të merrte gjysmën e bursës për konvikt dhe mensë ushqimore. Më pas është drejtuar në Bashkinë e Elbasanit, për të marrë paratë për vitin 2020-2021, por Bashkia e Elbasanit e drejtoi në Bashkinë e Peqinit dhe anasjellas.
“Tashi më sjellin vërdallë që jo i ka Bashkia e Elbasanit, jo Bashkia e Peqinit”.
Askush nuk merr përgjegjësinë për ta zbatuar.
“Nuk më japin rrugëzgjidhja”, tha zonja.
Zonja thotë se tashmë është pa asnjë të ardhur dhe ka tre 2 fëmijë, për të rritur si kryefamiljare.
“Djali nuk do e ndjekë këtë vit shkollën se nuk kam mundësi më. Vetëm pension se më ka vdekur burri. 18 mijë lekë ndihmë ekonomike nuk kam mundësi. Për momentin po rri tek prindërit.Kërkoj një ndihmë nga ju, kush ka mundësi, të më ndihmojë”, tha Xhakoj.
Institucionet vetëm ngrenë supet dhe përcjellin detyrimin. Fillimisht kamera e fshehtë e Stop shkoi në Elbasan.
Punonjësja: Tani, unë nuk di çfarë sqarimi të të jap më shumë, sepse ti e ke shumë të qartë.
Denoncuesja: Unë e kam shumë të qartë, por ata të Peqinit …
Punonjësja: Atë vendimin, ua tregove?
Denoncuesja: Po!
Punonjësja: Se ata pretendonin, që nuk e kishin.
Denoncuesja: Po e kishin. Thanë nuk kemi punë me ty këtu. Ta ka fajin Bashkia e Elbasanit.
Punonjësja: S’ka lidhje fare.
Denoncuesja: Po jam në bashki me ju, me ju të Elbasanit.
Punonjësja: Po kush merret atje? Kë ke takuar ti?
Denoncuesja: S’ke punë tek ne, tha. Ose të kalojnë fondin ata…
Punonjësja: Po s’ka lidhje fondi jonë këtu me fondin e Peqinit. Ne bëjmë miratimin e vitit të parë dhe për fondin e bën Bashkia e Peqinit ministrive përkatëse.Sikurse ato shpallin fitues klasat e dhjeta të shkollave atje dhe pastaj na sjellin vendimet ne këtu. Ne ju japim pagesën nxënësve të Peqinit, për vitet e para.E ke vendimin tënd? Shko në Peqin! Domethënë për të përcjellë tamam ashtu siç…Mu më vjen keq, që edhe je fitues, edhe nuk e merr pagesën, prandaj po të them që më jep një numër kontakti, t’i sqaroj! Po që prapë punë paske tek Bashkia e Peqinit, që kështu…
Por pasi denoncuesja shkoi në Elbasan dhe punonjësit aty e drejtuan në Peqin, gazetarja e “Stop” shkoi në Peqin.
Punonjësja: Këshilli i Elbasanit vepron për Elbasanin, për bashkinë e Elbasanit dhe jo për bashkinë e Peqinit.
Punonjësja 2: Unë mund ta çoj gocën në Amerikë me studime, ama ngelet banore e qytetit Peqin. Dhe kjo zonja e përfiton atje atë, pavarësisht se ato gabimisht mund ta kenë transferuar tek kjo për të marrë, por nuk i takon në bashkinë Peqin, që të marri bursën.
Punonjësja: Tani Bashkia e Elbasanit duhet, kështu siç i ka thënë zonja, që duhet të transferojnë fondin këtu tek ne! Po fondi këtu tek ne, në degën e Thesarit ku ne operojmë dhe nuk ka ardhur asgjë nga Bashkia Elbasan. Bashkia e Elbasanit nuk e ka përcjellë dosjen tek ne.
Gazetarja: Po mirë pra, se ka një problematikë shumë të madhe, përveç kësaj që thoni ju, që i takon tek vendbanimi. Problematika më e madhe, është informimi i personit. Sa herë ka ardhur zonja këtu? Sa herë ka ardhur?
Punonjësja: Është sqaruar.
Gazetarja: Është sqaruar? Po pse nuk është bërë diçka? Nuk mund të bëhet nga Bashkia diçka, që të kërkohet kjo zhvendosje e dosjes?
Punonjësja: Ne jemi zyra e financës dhe jo këshilli.
Anëtari i këshillit bashkiak Peqin: Kjo do shkojë në Ministri. Sapo të marri aprovimin nga Ministria, do i delegohet fondi Bashkisë nëpërmjet shkollës. Por ne s’na ka ndodh ndonjëherë shkollë e mesme e përgjithshme. Profesionale, po! Nuk është fondi juaj,- tha(Punonjësja e Elbasanit) Është i Ministrisë së Arsimit.
Punonjësja: Dërgoja ti,- i thoshe Ministrisë së Arsimit! Se e ke ti atë…
Anëtari: Po meqë është student në gjimnazin e Peqinit, dërgojeni edhe ju.
Punonjësja: Goca ime në Elbasan ishte. S’u transferuar dosja, u dogj. Ishte fëmijë jetim. Kaq!
Anëtari: Ato po e vërtitin. Kastile, ku e di unë.
Por në Bashkinë e Elbasanit nuk mbahet përgjegjësi për nxënësin.
Në një përgjigje thuhet se Bashkia e Peqinit duhet të grumbullojë të gjithë vendimet e këshillave bashkiakë të të gjitha bashkive të tjera, ku janë nxënësit fitues dhe së bashku me ta kjo listë t’u niset Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Financave.
Në një tjetër vendim Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar një gjysmë burse në shkollën e Përgjithshme “Mustafa Kemal Ataturk” në Peqin.
Por ky vendim është i paligjshëm pasi theksohet se fitimi i bursës është për kuotat financiare në mensa dhe konvikt. Por kjo shkollë nuk ka as mensë dhe as konvikt.