Nxënësi ishkollës “Isa Boletini” në Drenoc të Klinës, Leart Gojani, ka siguruar kualifikimin në finalen ndërkombëtare të garës “Spelling Bee 3”, duke vazhduar serinë e sukseseve në garat e gjuhës angleze.
Learti u kualifikua në finalen e madhe pasi shkëlqeu në fazat paraprake të garës së organizuar nga Infinit Training Center. Në gjysmëfinale ai u rendit i pari me gjithsej 89 pikë, duke grumbulluar 59 pikë në pjesën me shkrim dhe pikët maksimale, 30, në testimin me gojë.
Ky sukses i shtohet një liste të gjatë arritjesh të nxënësit të talentuar. Ai është fitues i vendit të parë në garat komunale të gjuhës angleze për dy vite radhazi, në vitet shkollore 2024–2025 dhe 2025–2026. Gjithashtu, Learti është shpallur fitues në nivel shtetëror i garës “Spelling Bee 2”, të organizuar nga Hamilton House Kosova, duke dëshmuar nivel të lartë të njohurive në drejtshkrimin e gjuhës angleze.
Sukseset e tij vlerësohen si rezultat i punës së palodhshme, përkushtimit dhe mbështetjes së vazhdueshme nga mësimdhënësit dhe familja. Kontribut të veçantë në rrugëtimin e tij kanë dhënë mësimdhënësi Qëndrim Racaj, i cili e udhëhoqi gjatë viteve të para të shkollimit, si dhe mësimdhënësi aktual Nexhmedin Malaj, që ka vazhduar ta mbështesë dhe motivojë drejt arritjeve të reja.

Kualifikimi në finalen ndërkombëtare të “Spelling Bee 3” përbën një tjetër sukses të rëndësishëm për Leart Gojanin dhe njëkohësisht një arsye krenarie për ShFMU “Isa Boletini”, Komunën e Klinës dhe komunitetin lokal.
Finalja ndërkombëtare pritet të mbledhë garues nga vende të ndryshme, ku Learti do të përfaqësojë shkollën dhe Kosovën në një nga garat më prestigjioze të drejtshkrimit në gjuhën angleze.