- Advertisement -
Sapo është kthyer nga Australia, ku së bashku me ekipin kombëtar përfaqësoi Shqipërinë në Olimpiadën Botërore të Matematikës. Krisel Leka, 16-vjeçari nga Durrësi, u rikthye me medaljen e nderit, një sukses i rëndësishëm për të dhe për vendin.
“Emocionet ishin të forta, rezultati i mirë, por jo ai që doja. Pritshmëritë ishin për një medalje më të madhe, por niveli i konkursit është jashtëzakonisht i lartë”, – rrëfen ai.
Kriseli u rendit i dyti në olimpiadën mbarëkombëtare të matematikës për këtë vit, një arritje që nuk është aspak rastësi për gjimnazistin e pasionuar pas ekuacioneve dhe problemeve sfiduese.
Dashuria e tij për matematikën nisi që para fillimit të shkollës.
“Që në moshë të vogël, babai më bënte ushtrime shumëzimi me numra dyshifrorë. Në moshën gjashtëvjeçare unë jepja përgjigjet menjëherë. Një nga hapat e mi të parë ishte pjesëmarrja në olimpiadat lokale të organizuara nga QKF Durrës, ku për katër vite rresht arrita rezultate shumë të larta”, tregon ai.
Sukseset e njëpasnjëshme në olimpiadat kombëtare i hapën rrugën pjesëmarrjes në skenën ndërkombëtare.
Medalja e nderit e fituar në Australi i ofron Kriselit mundësinë për të ndjekur studimet në disa nga universitetet më prestigjioze të botës.
“Kjo medalje është një plus i madh për mua dhe pranimin në këto universitete, pasi është një arritje e nivelit botëror, në një aktivitet me mbi 650 garues nga 110 shtete”, thekson ai.
Tashmë, Kriseli e ka hedhur sytë drejt sfidës së radhës: Olimpiada Botërore e Matematikës në Kinë.
Me më shumë përvojë dhe besim, ai synon të ngjitet më lart në renditje.
“Olimpiada e ardhshme zhvillohet në Kinë dhe objektivi im është pa dyshim një medalje. Do të ishte një arritje e jashtëzakonshme për mua”, përfundon i emocionuar 16-vjeçari.