Nxënësi i klasës së tretë në shkollën “Mihal Grameno” – Aneksi 2, Kaon Emërllahu, ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare të garave shkencore për fëmijë.
Pas pjesëmarrjes së suksesshme në Olimpiadën NeoScience në New York, ai ka vazhduar rrugën e tij të rezultateve të larta duke fituar medaljen e artë në garën “Einstein”.
Ky sukses i ka siguruar atij kualifikimin për pjesëmarrje në Olimpiadën e ardhshme që do të mbahet në Berlin, Gjermani, shkruan AlbanianEducation.net.
Ky rezultat e rendit Kaon Emërllahun ndër nxënësit më premtues në fushën e garave shkencore në këtë moshë, duke përfaqësuar denjësisht shkollën dhe Kosovën në gara ndërkombëtare.
Mësuesja e tij, Vlora Shabani, është vlerësuar për përkushtimin dhe mbështetjen në arritjen e këtij suksesi, i cili tashmë i hap rrugë një sfide të re në nivel evropian.
Shkolla “Mihal Grameno” – Aneksi 2 ka uruar nxënësin për medaljen e artë dhe i ka dëshiruar suksese në Olimpiadën në Berlin, ku pritet të përfaqësojë Kosovën me rezultate të larta.
