Nxënësi i Gjimnazit të Specializuar Matematikor në Prishtinë, Endi Ymeri, po përfaqëson Kosovën në Olimpiadën Ndërkombëtare të Fizikës (IPhO 2026), një nga garat më prestigjioze në botë për nxënësit e shkollave të mesme në fushën e fizikës.
Edicioni i sivjetmë i olimpiadës po zhvillohet në Bucaramanga të Kolumbisë, ku pjesëmarrës nga dhjetëra shtete po garojnë në sfida të avancuara shkencore.
Nga Gjimnazi i Specializuar Matematikor kanë shprehur krenarinë për përfaqësimin e Endi Ymerit, duke vlerësuar se kjo arritje pasqyron talentin, përkushtimin dhe punën e tij të vazhdueshme.
Shkolla i ka uruar Endit suksese në garë dhe një përvojë të paharrueshme në këtë aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar, duke theksuar se përfaqësimi i Kosovës në një kompeticion të këtij niveli është një sukses që meriton vlerësim.