Nxënësi 10-vjeçar nga Prishtina fiton 4 medalje në SHBA, mësuesja dhe drejtori krenohen me Molos Gashin

- Advertisement5 -

Një nxënës 10-vjeçar nga Prishtina ka ngritur flamurin e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke fituar katër medalje në olimpiada prestigjioze ndërkombëtare të shkencës, kodimit dhe inteligjencës artificiale, mes pjesëmarrësve nga mbi 21 shtete të botës.

- paragrafi 1 -

Molos Gashi, nxënës i klasës së pestë në shkollën “Qamil Batalli”, fitoi dy medalje të arta në kategoritë Shkencë dhe Inteligjencë Artificiale, një medalje të argjendtë në Kodim dhe Programim, si dhe një medalje bronzi në Matematikë, gjatë garave “Neo Science Olympiad” dhe “Coding Olympiad – Grand Final” të mbajtura në Orlando.

- Advertisement -

“Kam ushtruar shumë çdo ditë, kam lexuar libra, kam bërë ushtrime në kompjuter dhe nuk jam dorëzuar edhe kur ishte e vështirë. Kur fitova medaljet, u ndjeva shumë i lumtur”, thotë Molos Gashi.

Interesi i tij për shkencën dhe teknologjinë ka nisur që në moshë të vogël.

“Më ka pëlqyer gjithmonë matematika dhe kompjuteri. Që i vogël më pëlqente të zgjidhja probleme dhe të mësoja gjëra të reja”, thotë ai.

- Advertisement -

Suksesi i tij është konfirmuar edhe nga mësuesja Lumturie Spahija Zyhrani, e cila thekson rëndësinë e talentit, punës dhe mbështetjes familjare.

“Molosi është një nxënës shumë i përkushtuar dhe i zgjuar. Prindërit kanë pasur një rol shumë të madh duke e mbështetur vazhdimisht”, thotë mësuesja Lumturie Spahija Zyhrani.

Momentin e lajmit për fitoret, mësuesja e kujton si shumë emocional.

“Kur mora vesh për medaljet, më dolën lot gëzimi. Është krenari për shkollën, për familjen dhe për gjithë Kosovën”, thotë ajo.

Edhe drejtori i shkollës “Qamil Batalli”, Liridon Maliqi, shpreh krenarinë për arritjet e Molosit.

“Ky është një sukses i madh jo vetëm për Molosin, por për gjithë shkollën dhe sistemin arsimor. Fitimi i medaljes në Inteligjencë Artificiale në këtë moshë është diçka e rrallë dhe shumë domethënëse”, thotë drejtori i shkollës Liridon Maliqi.

Molosi thotë se nga SHBA nuk është kthyer vetëm me medalje, por edhe me përvoja dhe kujtime të paharrueshme.

“Më pëlqeu shumë Amerika dhe garat. Takova fëmijë nga shumë shtete dhe mësova gjëra të reja”, thotë Molos Gashi.

Përveç Molosit, nxënës të tjerë nga Kosova arritën rezultate të shkëlqyera, duke bërë pjesëmarrjen në këto gara një sukses të rëndësishëm për vendin në arenën ndërkombëtare të dijes. /Euronews.al