Dyert e kësaj shkolle janë mbyllur.
Kjo pasi që trembëdhjetë nxënësit e vetëm që ishin në fshatin Krivenik, tanimë mësimin po e vazhdojnë në shkollën e fshatit fqinj, Seqishtë .
Arsyeja, sipas kryetarit të komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi është pamundësia e mësimit të kombinuar për të gjithë nxënësit.
“Për arsye që s’ka mund të zhvillohet mësimi i kombinuar në katër planprograme, kjo ka qenë edhe njëra prej arsyeve pse ne i kemi transferuar nxënësit në shkollën po të njëjtën shkollë që është në fshatin Seqishtë”, tha ai.
Sipas tij, nxënësit janë ambientuar në klasat ku përkasin.
“Po e zhvillojnë mësimin normalisht, janë me nxënës të tjerë, janë secili në klasën e vet, kështu që transportin e kanë të siguruar, kështu që nuk ka ndonjë problem”, tha ai.
Por edhe shkolla të tjera në Kosovë rrezikojnë të mbyllen, si pasojë e numrit të ulët të nxënësve.
“Përjashto zonat më të dendura urbane, në të gjitha shkollat tjera përfshirë këtu zonat rurale, zonat periferike të qyteteve, në të gjitha është prezent numri më i ulët i nxënësve”, tha Rinor Qehaja-Instituti Edguard.
Megjithatë, kjo nuk është befasuese për njohësin e arsimit, Rinor Qehaja.
“Nuk është shumë befasues kur dihet projeksionet demografike në rënie të numrit të nxënësve. Ajo çka neve na nevojitet është një reagim shumë i shpejt nga niveli qendror, pikë së pari për të kuptuar se kush është numri aktual i nxënësve, kush është numri aktual krahasuar me numrin e mësimdhënësve dhe hapësirës për m2 në shkollat tona dhe pasi të kuptojmë gjendjen aktuale e domosdoshme është një ristrukturim në nivel vendi i të gjitha institucioneve shkollore”, tha ai.
Tëvë1 ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Arsimit se cilat janë politikat që do të ndërmerren për këtë çështje, mirëpo ky institucion nuk është përgjigjur deri në momentin e publikimit të kësaj kronike.
Numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët për vitin shkollor 2021-2022 ishte afër 225 mijë.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kjo shifër është rreth pesë mijë më pak se vitin paraprak (2020-2021). /Tëvë1/