Drejtori i shkollës “Zenel Hajdini” në Gadime, Skender Ademi ka rrëfyer disa detaje për nxënësin Zejn Zejnullahu i cili vdiq tragjikisht në lumin e këtij fshati.
Ai ka treguar se i mituri, nxënës i klasës së katërt, kur ka dalë nga shkolla nuk kishte përdorur rrugën e zakonshme për në shtëpi, por e ka ndryshuar atë.
Sipas Ademit, vogëlushi kishte zgjedhur një rrugë më të shkurtë.
“Si të gjithë, ai ka dalë nga klasa me të gjithë shokët e tij. Ai ka qenë me një vajzë me të cilën janë afër me shtëpi, dhe janë drejtuar për në shtëpi bashkë. Kur janë afruar afër një lagjeje të Limanëve, papritmas prindi i kësaj vajze, pra shoqes së tij, e merr vajzën dhe i bën një kërkesë që edhe Zejnën ta merrte me vete. Por ai me këmbëngulje ka thënë se “nuk dua të vi dhe se dua të shkoj ta blej një kifle e ta vazhdoj rrugën”. Nuk ka pranuar assesi dhe ka vazhduar rrugën vetë. Ka zgjedhur një rrugë më të shkurtër e me probleme dhe papritmas ka rënë në lum”, tha drejtori.
“Sipas kamerave është parë që ai nuk ka shkuar mbi Xhami, por ka ndryshuar rrugën e cila për të ka qenë vdekjeprurëse”, u shpreh Ademi për KlanKosova.
Ndërkohë gazetarja e Klan Kosovës, Endrita Bajrami e cila po qëndron në Gadime, ka kuptuar se nxënësit e shkollës kanë pasur transport, por këto ditë ka qenë me defekt.