Nuk ka asnjë problem nëse shumicën e kohës i bëni banjë vetëm me ujë.
Bëjini banjë foshnjës kur ta shihni të përshtatshme për vete dhe për të. Shumë njerëz u bëjnë banjë para se t’i vënë për të fjetur, si një rit qetësues që i sjell gjumin, e disa të tjerë, parapëlqejnë t’u bëjnë banjë në mes të ditës, kur foshnja është krejtësisht zgjuar, shkruan libri “Udhërrëfyes për një shtatzëni të shëndetshme”.
Do ta shijoni shumë këtë çast, nëse nuk e merrni me ngut dhe nuk ju ndërpret asgjë. Pjesa më e madhe e prindërve e kanë më të lehtë ta lajnë foshnjën e porsalindur në një vaskë-kamerdare, në lavaman apo govatë plastike, ku poshtë dhe anash kanë vendosur një peshqir të pastër, transmeton lajmi.net.
Bëjini gati që më parë ato që ju nevojiten dhe ngroheni dhomën në temperaturën 24 gradë celsius. Krahas govatës me ujë, ju duhet një sfungjer, pambuk, peshqir, pelenat dhe ato që do t’i vishni pas banjës.
Nuk ka asnjë problem nëse shumicën e kohës i bëni banjë vetëm me ujë. Nëse është e nevojshme, mund të përdorni sapun ose shampo pa aromë dhe deodorantë, por ndodh që ato t’i shkaktojnë irritime lëkurës delikate të foshnjës.
Para se të mbushni vaskën apo govatën, provoni temperaturën e ujit me bërrylin apo kyçin tuaj. Uji duhet të jetë i ngrohtë, jo i nxehtë. Mbusheni govatën me ujë të ngrohtë. Zhvisheni foshnjën, duke ia hequr pelenën në fund. Në rast se ajo është bërë pis, pastrojani të ndenjurat para se ta fusni në govatë.
Me njërën dorë mbani kokën e foshnjës dhe me tjetrën, drejtojini trupin, duke i futur fillimisht këmbët. Më pas, ulni me kujdes dhe ngadalë pjesën tjetër të trupit. Është e rëndësishme që ta mbani me dorë kokën dhe bustin e foshnjës, që ajo të ndihet sa më e sigurt. Nuk është nevoja t’ia lani flokët me shampo sa herë që i bëni banjë, një herë apo dy herë në javë mjafton.
Masazhojani lehtë kokën dhe kur të shpëlani shampon apo sapunin, vërjani dorën mbi ballë, që uji me shkumë të mos i bjerë në sy, por të rrjedhë anash ose përkuleni pak prapa kokën e foshnjës. Përdorni një tampon të lagur për t’ia fshirë sytë foshnjës nga cepi i brendshëm tek ai i jashtëm. Lani pjesën tjetër të trupit, nga lart-poshtë, përfshirë edhe zonën gjenitale.
Në rast se foshnja është vajzë, hapini lehtë buzët e vaginës për t’ia pastruar, e nëse është djalë, ngrijeni qesen e herdheve lart për ta pastruar mirë poshtë. Nëse e keni bërë synet, mos u mundoni ta tërhiqni lafshën e penisit. Ndërkohë që ju i lani shpinën dhe të ndenjurat, përkuleni foshnjën para mbi krahun tuaj.
Gjithashtu, hapjani pak këmbët, që t’i pastroni edhe zonën e anusit. Kur foshnja të jetë e lagur, mbajeni me shumë kujdes, pasi mund t’ju rrëshqasë nga duart. Pasi të përfundoni banjën, mbështilleni me peshqir, me ose pa kapuç, dhe fërkojeni lehtë për ta tharë.
KUJDESI PËR KËRTHIZËN
Pas prerjes së kordonit umbilikal, foshnjës nuk i mbetet gjë tjetër veçse një copëz e vogël, e cila në të shumtën e rasteve, do të thahet dhe do të bjerë brenda 1 ose 3 javëve pas lindjes. Deri atëherë, mundohuni ta mbani sa më të pastër dhe të thatë atë zonë.
Është më mirë ta lani foshnjën me sfungjer dhe të mos i bëni banjë komplet, derisa t’i bjerë edhe ajo copë që i ka mbetur dhe kërthiza t’i shërohet plotësisht. Në përgjithësi, prindërit kanë marrë këshilla si ta pastrojnë me alkool atë pjesë. Disa studime kanë treguar se kërthiza do të shërohet më shpejt, nëse nuk përdoret asnjë lloj mjekimi.
Kësisoj, disa maternitete nuk e rekomandojnë më praktikën e dikurshme. Në rast se nuk jeni të sigurta çfarë të bëni, këshillohuni me pediatrin. Procesi i rënies së kërthizës, do të përshpejtohet në rast se kjo e fundit ekspozohet ndaj ajrit dhe baza e saj lihet të thahet sa më shumë të jetë e mundur. Për të shmangur irritimet dhe për ta lënë të thahet atë zonë, paloseni pelenën e foshnjës poshtë kërthizës.
Nëse moti është i ngrohtë, visheni foshnjën vetëm me një bluzë me mëngë të shkurtra, me qëllim që ajri të qarkullojë më lirshëm dhe të përshpejtojë procesin e tharjes. Është më se normale që deri kur të bjerë kërthiza, të shikoni pak rrjedhje apo gjak të tharë.
Por nëse ajo duket e skuqur apo ka aromë të keqe, njoftoni menjëherë pediatrin. Kur të bjerë, ju do të shikoni pak gjak, gjë që është normale, por nëse rrjedhja vazhdon për pak kohë, çojeni foshnjën për një kontroll.