Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka paralajmëruar se së shpejti do të hapet konkursi për pranimin e 20 inspektorëve të rinj të arsimit.
Përmes një postimi në Facebook, ajo bëri të ditur se deri më tash Inspektorati i Arsimit ka funksionuar me vetëm 30 inspektorë, teksa 20 të tjerë do të shtohen së shpejti.
“Inspektorati i arsimit deri tash ka funksionuar me kapacitete shumë të limituara, me vetëm 30 inspektorë të cilët mbulojnë tërë Republikën e Kosovës. Në mbledhjen e 99 të Qeverisë, kemi votuar komisionin intervistues, për rekrutimin e 20 inspektorëve dhe shumë shpejt do të hapet konkursi”, thuhet në postim.
Sipas saj, fokusi i MASHTI-t është që rekrutimi i tyre të bëhet sipas 7 fushave të kurrikulës arsimore duke plotësuar vendet e lira me kuadrin që është mungesë.
Tutje, Nagavci shton se me rritjen e numrit të inspektorëve synohet të rritet cilësia në arsim e të jenë më afër problemeve në shkolla por edhe të vlerësojnë performancën e mësimdhënësve e drejtorëve.
“Edhe për vitin e ardhshëm kemi planifikuar të pranojmë 20 inspektorë tjerë të arsimit. Me rritjen e numrit të inspektorëve të arsimit synojmë: 📌 Të sigurojmë cilësi në arsim; 📌 Të jemi me afër problemeve në shkolla; 📌 Të kemi më shumë mundësi të monitorojmë e inspektojmë institucionet arsimore; 📌 Të vlerësojmë performancën e mësimdhënësve, drejtorëve dhe zv. drejtorëve si dhe performancën e shkollës. Me qasje gjithpërfshirëse e shumë dimensionale do të përmirësojmë cilësinë në arsim”, shkroi ndër tjerash ajo.