Në Ditën Botërore të Librit, sjellim një tjetër histori frymëzuese: Bergi, një lexues i vogël që çdo pasdite e kalon me një libër në dorë. Ai nuk lexon për detyrë, por për kënaqësi, duke udhëtuar me imagjinatën në botë të reja dhe duke zbuluar mesazhe që e bëjnë më të mençur e më të ndjeshëm.
Pra sot, në Ditën Botërore të Librit, sjellim një tjetër histori që frymëzon.
Gjithashtu në këtë intervistë, Bergi rrëfen për librat e tij të preferuar, për momentet e leximit nën zë me çokollatë në dorë, për ëndrrën e të qenë një “superlexues”, por edhe për ditët e tij pas mësimit, ku përzihen kurset, futbolli dhe kapitujt e librave të vendosur në komodinën e dhomës. Një fëmijë shembull për të gjithë ata që nuk e kanë zbuluar ende magjinë që fsheh një libër i mirë.
Bergi, si fillove të lexosh kaq shumë libra? Çfarë të bën të ndihesh mirë kur lexon? Ose pse të pëlqen të lexosh libra?
Unë bleva një libër dhe kur fillova ta lexoj më pëlqeu shumë dhe më pas fillova t’i lexoja të gjithë seritë e tij. Kur lexoj unë nxjerr një mesazh, prandaj më pëlqen të lexoj.
Cili është libri yt i preferuar dhe përse?
Libri im i preferuar është “Jeronim Stilton’’ dhe ky libër na tregon për aventurat interesante të Jeronimit.
Si i gjen librat që lexon? A ka një lloj libri që të pëlqen më shumë, si aventurat apo historitë fantastike?
Të gjithë librat që lexoj i blej në një kancelari afër shtëpisë time. Atje shoh titujt dhe mendoj cili prej tyre i përshtatet moshës sime dhe të ketë një histori tërheqëse. Për libër me fantazi kam “Jeronim Stilton në mbretërinë e fantazisë”.
Si të ndihmon leximi i librave ty Bergi?
Prindërit më thonë që “libri është shoku im më i mirë”. Unë mendoj që një libër të pasuron fjalorin dhe të ndihmon t’i bësh ballë situatave në jetë.
A mund të na tregosh një histori nga një libër që ka mbetur në mendjen tënde dhe të ka bërë të mendoje shumë?
“Ditari i Gregut”, ku në ditarin që ai mbante, tregonte jetën e tij.
Po të hyje brenda një libri, cilin do zgjidhje dhe çfarë do bëje aty?
Në librin “Haidi”, do të ndihmoja njerëzit në nevojë së bashku me Haidin.
Po nëse një ditë, të gjithë librat në botë do zhdukeshin… çfarë do bëje?
Ndoshta do të shkruaja disa histori duke u bazuar në ato të cilat kam lexuar më përpara.
A lexon ndonjëherë duke ngrënë çokollatë? Apo nuk lejohen këto kombinime në shtëpinë tënde?
Asnjë mam nuk i do çokollatat besoj, por ndonjëherë pak si fshehtas mundet të ndodhi.
Nëse do kishe një superfuqi, do doje të ishe… superlexuesi? Çfarë do bënte kjo superfuqi?
Nëse do kisha një superfuqi, do të bënte që të lexoja më shumë libra.
Çfarë do zgjidhje: një pasdite me lojëra apo një pasdite me libra? (kujdes, është pyetje e vështirë 🙂 )
Mendoj pak nga te dyja 🙂
Ndërkohë, si i kalon zakonisht ditët pas shkollës? Lexon akoma pas orëve të mësimit? Ka ndonjë aktivitet tjetër që të pëlqen shumë të bësh?
3 herë në javë jam në kurs anglisht dhe gjermanisht. Ditët që nuk kam kurs luaj me shokët futboll dhe në darkë lexoj 1-2 kapituj të librave që i kam në komodinë për t’i lexuar.
Pse të pëlqen të mësosh gjermanisht?
Duke qenë se gjermanishten e kam gjuhë të huaj në shkollë, dhe mami ndërkohë po mëson gjermanisht. Mendova ta mësojmë bashkë. Në fillim ishte shumë e vështirë, por tani më pëlqen shumë. Me zor pres të ikim me pushime në Gjermani në mënyrë që të flas me ndonjë shok.
Dhe e fundit… a ke ndonjë mesazh për të gjithë fëmijët që ende nuk e kanë zbuluar magjinë e librave? Dhe a ka një libër që do të doje ta rekomandoje për shokët/shoqet?
Ta nisin leximin me një libër që u pëlqen, me histori, me aventura apo fantastik, dhe më pas dëshira për të lexuar një libër tjetër bëhet më e madhe.
© Portali Shkollor-