Nëse doni të bëheni një lider, atëherë filloni të flisni. Madje nuk ka as veçanërisht rëndësi se çfarë thoni – sipas një studimi që teston “babble hypothesis”.
Shkencëtarët amerikanë zbuluan se sasia, më shumë se cilësia, e të folurit përcakton se kush perceptohet si një lider në grupe të vogla, sipas kërkimit të publikuar në The Leadership Quarterly.
Ky efekt duket se ndodh edhe pavarësisht inteligjencës apo tipareve të personalitetit të anëtarëve të grupit – shkruhet në studim. Gjinia, megjithatë, bën diferencën në cilësitë e perceptuara të lidershipit.
‘Babble hypothesis’ u testua tek studentët
Kërkimi përfshiu 33 grupe me nga 4 deri në 10 studentë universitarë, të cilët punuan së bashku në një lojë simulimi me temë ushtarake apo komerciale.
Pjesëmarrësve iu lanë në dispozicion 10 minuta për të planifikuar objektivin e tyre dhe një orë për ta zgjidhur. Secili prej studentëve duhet të nominonte nga një deri në pesë individë që mendonin se ishin udhëheqës – një herë pas fazës së planifikimit dhe sërish pas lojës.
Ata që folën më shumë perceptoheshin si liderë
Kërkuesit zbuluan se pjesëmarrësit që kaluan më shumë kohë duke folur kishin më tepër gjasa të konsideroheshin si liderë – pavarësisht nga statusi i operatorit, nga njohuritë e mëparshme të lojës, si dhe nga tiparet e personalitetit dhe aftësitë njohëse.
“Ne zakonisht mendojmë se lidershipi drejtohet kryesisht nga përmbajtja – dikush thotë gjëra të rëndësishme, për këtë e ndjekim – por këtu kishte një dëshmi mjaft bindëse – lidershipi u atribuohej njerëzve që flisnin shumë” – tha autori kryesor i studimit Neil G MacLaren për PsyPost.org.
Gjinia, ndikim tek perceptimi i lidershipit
Një tjetër rezultat i rëndësishëm ishte se gjinia kishte ndikim të qartë në perceptimin e lidershipit. Mesatarisht, meshkujt morën një votë më shumë, thjesht për shkak të gjinisë, dhe efekti ishte më i dukshëm për individin me më shumë vota. “Ky paragjykim nuk duket të jetë fort i lidhur me ndonjë tregues të dukshëm të cilësisë së pjesëmarrjes” – tha MacLaren./monitor/