Politika dhe arsimi në Kosovë, në vazhdimësi e kanë mashtruar njëra-tjetrën. Njëra prej mashtrimeve që politika i bëri arsimit është rritja e fundit e pagave. Po cilat janë mashtrimet e arsimit?
Ata që e njohin mirë gjendjen e shkollave në terren e dinë se në shumicën e rasteve, arsimi tek ne, mbështetet në improvizim.
Ky improvizim, sigurisht që nuk bëhet vetëm për fajin e mësimdhënësve. Imagjinojeni një shkollë të shekullit 21 që s’ka rrjet, s’ka kompjuterë, s’ka fotokopje e as printer, s’ka bibliotekë e as sallë leximi. Të mos flasim për salla me projektorë, tabela të mençura apo pajisje të tjera që mundësojnë mbajtjen e testeve digjitale, të cilat tani për tani, dikujt mund t’i duken edhe “fanta-shkencë”.
Rëndom flasim për mungesën e bibliotekave në shkolla, por edhe kur ato ekzistojnë, nuk janë të përditësuara me titujt e nevojshëm.
Ka raste kur mbi 90 përqind e titujve ekzistues nuk i përgjigjen moshës së nxënësve, apo trendeve të leximit.
Përveç kësaj, një çështje tjetër që lidhet gjithashtu me leximin është edhe zbatimi i mendimit kritik dhe interpretimi i letërsisë në shkolla. Kjo padyshim është njëra prej pikave më të dobëta në sistemin tonë arsimor. Formimi gjuhësor i nxënësve nuk është lëndë zgjedhore, ndaj dhe duhet vëmendje më e madhe nga të gjithë. Nuk zgjidhet kjo çështje as me hulumtime, as me konstatime nga zyrat e vendimmarrjes. Ky debat duhet të zhvendoset brenda në shkolla dhe veç kësaj, prania e mësuesëve duhet të jetë më e madhe aty ku flitet dhe vendoset për arsimin.
A e dini se çfarë mësojnë nxënësit në një shkollë të mesme në lëndën e Gjuhës Shqipe dhe letërsisë? Kryesisht biografi të autorëve dhe atë përmendësh.
Po ta pyesim një ekspert të huaj lidhur me rastin në fjalë, me gjasë, sygjerimin e parë do ta kemi, ndarjen e Gjuhës nga Letërsia.
Përveç kësaj, ndërhyrje duhet të ketë edhe te aplikimi i gjuhës së huaj në sistemin tonë arsimor. Shembull në nivelin parafillor, apo në ato raste kur gjuha e huaj është mbingarkesë. Apo një shembull ndryshe nga ky; një nxënës i shkollës së mesme të mjekësisë, nuk mëson asnjë term mjekësor në lëndën e Gjuhës angleze. Po ta kemi parasysh se, një numër i madh i tyre nga shkollimi i mesëm kalojnë direkt në shërbim, kjo paraqet një hendikep, jo vetëm për arsimin, por edhe për vetë sistemin shëndetësor.
Është thënë edhe në raste të tjera se, për të ndjekur trendet e sotme të edukimit, një ndër hapat më të rëndësishëm është përmirësimi i kushteve për punë dhe aplikimi i teknologjisë në mësimdhënie. Pajisja e klasave dhe kabineteve me pajisje inovative, në radhë të parë me tabela të mençura dhe video projektorë, është vetëm një prej këtyre hapave në krijimin e kushteve më të mira.
Si përmbyllje e kësaj, defekte si këto që u përmendën më lart dhe të tjera të ngjashme, janë të lidhura direkt me financat. Dhe përpjekjet për reforma në edukim pa përmirësimin e financave, në parim janë të dështuara. Nuk është e mundur të punohet në kushte kosovare dhe të kërkohen standarde evropiane.
Doni arsimim të njëjtë me vendet e BE-së? Është e thjeshtë. Duhen kushte, nëse jo të njëjta, të paktën të përafërta me ta.
Ndër to, kushte për mësim gjithëditor dhe më tepër asistentë në shkolla.
Autor: S.A.