“Një yll i ri në teknologjinë shqiptare” – Amir Kovaçi fiton Olimpiadën Kombëtare në TIK

- Advertisement -

Amir Kovaçi, nxënës në klasën e 10-të në gjimnazin “Qemal Stafa”, është shpallur fitues i vendit të parë në Olimpiadën Kombëtare në TIK me 49 nga 50 pikë. Ai ndan me ne përgatitjen, sfidat dhe motivimin që e çuan drejt këtij suksesi të jashtëzakonshëm.

Amir Kovaçi, nxënës i klasës së 10-të në gjimnazin “Qemal Stafa”, Tiranë, është shpallur fitues i vendit të parë në Olimpiadën Kombëtare në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK), me një rezultat mbresëlënës prej 49 pikësh nga 50 të mundshme. Ky sukses vjen si një dëshmi jo vetëm e talentit dhe pasionit të tij për teknologjinë, por edhe e përkushtimit dhe mbështetjes që ka pasur gjatë rrugëtimit të tij. Në vijim, për Portalin Shkollor, ai ndan me ne emocionet, sfidat dhe synimet që e kanë shoqëruar deri në këtë arritje të rëndësishme.

- Advertisement -

Si ndihesh që je fitues i vendit të parë në Olimpiadën Kombëtare në TIK, dhe aq më tepër si nxënës i klasës së 10-të?  

Ndihem jashtëzakonisht i lumtur dhe mirënjohës! Ishte një surprizë shumë e bukur, sidomos duke qenë ende në klasën e 10-të. Më jep motivim të vazhdoj më tej dhe të besoj më shumë në vetvete.

Si ishte rruga jote e përgatitjes deri në këtë sukses?  

- Advertisement -

Rruga ka qenë e mbushur me sfida, por edhe shumë e bukur. Që në fillim vendosa të përkushtohem seriozisht, duke ndarë kohë çdo ditë për të praktikuar dhe për të mësuar gjëra të reja. Lexova shumë, punova me ushtrime praktike dhe analizova olimpiada të viteve të kaluara. Sigurisht, nuk munguan netët pa gjumë dhe momentet kur ndihesha i lodhur, por dëshira për të arritur diçka të madhe më shtyu përpara. Ishte një proces që më rriti jo vetëm në njohuri, por edhe si person.

Cila ka qenë mbështetja më e madhe gjatë këtij procesi?  

Familja ime ka qenë gjithmonë aty për të më mbështetur, por edhe shokët dhe mësuesit kanë luajtur një rol të madh. Fjalët e tyre inkurajuese më kanë dhënë shtytje në momente të vështira.

Çfarë rëndësie ka pasur mësuesja jote, znj. Elisabeta, në këtë arritje?  

Mësuese Elisabeta ka qenë thelbësore në këtë rrugëtim. Ajo ka besuar tek unë që nga fillimi dhe ka ditur si të më udhëheqë në mënyrën më të mirë. Jam shumë mirënjohës për përkushtimin dhe besimin e saj.

A ka qenë ndonjë moment gjatë përgatitjes ku mendove se nuk do ia dilje? Si e tejkalove?  

Po, ka pasur disa momente kur ndihesha i lodhur ose kur dyshoja tek vetja. Por në ato çaste, më kujtohej pse e kisha nisur dhe sa shumë e doja këtë. Më ndihmonte të bëja një pushim të shkurtër, pastaj rikthehesha me më shumë energji.

Si e sheh rolin e teknologjisë në të ardhmen tënde?  

Teknologjia është padyshim një pjesë shumë e rëndësishme e së ardhmes sime. E shoh si një mjet me potencial të jashtëzakonshëm për të zgjidhur probleme reale dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve. Dua të jem pjesë e kësaj lëvizjeje.

Cilat janë planet e tua më tej në këtë fushë?  

Do të vazhdoj të mësoj, të eksperimentoj me projekte të reja dhe të marr pjesë në konkurse të tjera. Në të ardhmen, do të doja të studioj teknologji informatike dhe ndoshta të punoj në zhvillimin e softuerëve apo inteligjencës artificiale.

Çfarë do t’u thoshe nxënësve të tjerë që mendojnë se janë “shumë të vegjël” për të konkurruar në nivele kombëtare?  

Mos lejoni që mosha t’ju kufizojë. Nëse keni pasion dhe jeni gati të punoni fort, çdo gjë është e mundur. Filloni herët dhe mos kini frikë të sfidoni veten.

Çfarë do të thotë për ty të jesh pjesë e gjimnazit “Qemal Stafa” në një moment historik si 100-vjetori i tij?  

Është një nder i madh. Të jem pjesë e këtij institucioni në një moment kaq të veçantë më bën të ndihem më shumë i lidhur me historinë dhe traditën e shkollës. Është një frymëzim shtesë për të dhënë më të mirën.

A ka diçka që do të doje t’i shtoje kësaj eksperience që nuk është thënë ende?  

Vetëm do të thosha se kjo eksperiencë më ka mësuar shumë më tepër sesa teknologji – më ka mësuar durim, përkushtim dhe rëndësinë e bashkëpunimit.

© Portali Shkollor-