Gjilanasi Dren Qerimi është nderuar me një çmim prestigjioz nga Universiteti i Illinois në Shtetet e Bashkuara, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën kritike të bioinxhinjerisë.
Qerimi, profesor në departamentin e NPRE (Nuclear, Plasma, and Radiological Engineering), mori Çmimin e Hulumtuesit të Ri nga Divizioni i Shkencës dhe Teknologjisë së Plazmave në AVS, një prej organizatave më të njohura ndërkombëtare në këtë fushë. Ky çmim vlerëson arritjet bazë dhe të aplikuara në fushën e fizikës plazmatike, duke theksuar rëndësinë e tyre për zhvillimet shkencore dhe teknologjike.
“Jam shumë i nderuar dhe mirënjohës që kam marrë Çmimin e Hulumtuesit të Ri nga Divizioni i Shkencës dhe Teknologjisë së Plazmave në AVS. Ky vlerësim në fushën e fizikës plazmatike nuk është vetëm rezultat i punës sime, por edhe i mbështetjes, bashkëpunimit dhe frymëzimit që kam marrë nga kolegët, mentorët dhe studentët e mi”, u shpreh Qerimi pas pranimit të çmimit.
Ky sukses i vendos emrin e tij në mesin e studiuesve më të vlerësuar ndërkombëtarë, duke sjellë një shembull frymëzues për të rinjtë kosovarë dhe më gjerë që ndjekin rrugën e kërkimit shkencor./Albinfo.ch