Një student arti i Koresë së Jugut hëngri një banane që ishte pjesë e një instalacioni të artistit Maurizio Cattelan, duke thënë se ishte “i uritur” pasi kishte mbetur pa ngrënë mëngjes.
Vepra e artit e quajtur “Komediani”, pjesë e ekspozitës së Cattelan “WE” përbëhej nga një banane e ngjitur me shirit në një mur në Leeum Musuem of Art të Seulit.
Pasi hëngri bananen, studenti Noh Huyn-soo, e ngjiti lëkurën e bananes në mur.
Muzeu më vonë vendosi një banane të re në të njëjtin vend, raportuan mediat lokale.
Incidenti, i cili zgjati më shumë se një minutë, u incizua nga miku i Noh.
Muzeu i Artit Leeum nuk iu përgjigj një pyetjeje me email nga BBC. Megjithatë u tha mediave se nuk do të kërkojë dëmshpërblim ndaj studentit.
Banania e ekspozuar thuhet se zëvendësohet çdo dy ose tre ditë.
Në videot e postuara në internet, dëgjohen thirrjet “më falni”, ndërsa Noh heq bananen nga muri. Ai nuk përgjigjet dhe fillon të hajë pasi dhoma qetësohet.
Më pas ai ngjit lëkurën në mur dhe pozon për një moment përpara se të largohet.
Noh më vonë tha për mediat lokale se ai e shihte punën e Cattelan si një rebelim kundër një autoriteti të caktuar. “Mund të ketë një rebelim tjetër kundër rebelimit”, tha studenti i Universitetit Kombëtar të Seulit për KBS.
“Dëmtimi i një vepre arti mund të shihet edhe si një vepër arti, mendova se do të ishte interesante… A nuk është ngjitur atje për t’u ngrënë?”, ka pyetur ai.
Kur u pyet për incidentin, Cattelan tha, “Nuk ka problem fare”.
Kjo nuk është hera e parë që bananet e përdorura për punën e Cattelan hahen nga një vizitor.
Në vitin 2019, artisti i performancës David Datuna tërhoqi bananen nga muri pasi vepra e artit u shit për 120,000 dollarë (91,000 £) në Art Basel në Miami.
Banania u zëvendësua me shpejtësi dhe nuk u ndërmor asnjë veprim tjetër.